Të ftuara në “Live From Tirana me” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Romina Ruda dhe Era Kraja, për të folur më shumë mbi “NightFlix Film Festival”. Çfarë është ky event, kur do të zhvillohet dhe kush mund të bëhet pjesë, këto e shumë të tjera na zbulojnë vetë Romina dhe Era…
Çfarë është NightFlix Film Festival?
Romina: Në këtë rast dua të marr momentin për të falënderuar shumë Top Albania Radio, pasi përgjatë viteve 2021 dhe 2022 kur NightFlix është zhvilluar, kanë qenë partnerë të jashtëzakonshëm dhe kanë gjetur hapësirën për ta promovuar. NightFlix është një projekt që është zhvilluar për rreth 3 vite, ku ne kemi shfaqur dhe kemi promovuar filma të Shqipërisë dhe Kosovës, në një hapësirë të pavarur. Fokusi i NightFlix është në radhë të parë promovimi i regjisorëve të rinj të Shqipërisë dhe Kosovës, i talenteve tona vendore, i prodhimit vendas. Fokusi i dytë, që është po aq i rëndësishëm, është zhvillimi i mendimit kritik ndaj mënyrës se si ne i shohim filmat. Kështu që ne gjithmonë pas shfaqjes së filmave, ne kemi pasur mundësinë dhe fatin që të kemi një person nga stafi krijues i filmit, pra regjisor, producent, aktor, kushdo që ka qenë në qytet dhe ka pasur mundësinë që të jetë, ka ardhur për të bërë një bisedë me mua dhe një pjese të hapur të audiencës. Dhe ka qenë një gjë shumë e bukur për t’u parë, se si njerëzit kanë qenë që në gjenezë të NightFlix, ne kemi me 10 persona dhe mbaj mend kur kemi shfaqur “Hive”, që ishte shfaqja e parë publike për “Hive” pasi ishte shfaqur në Tirana International Film Festival, na u desh të bënim tre shfaqje paralele brenda së njëjtës hapësirë, nga numri i madh i njerëzve, kishim mbi 100 persona. Ka qenë një ndjesi e jashtëzakonshme. Dhe nga takimi i parë në takimin e fundit shihje pyetjet që personat i bënin regjisorëve, ishin pak më ndryshe nga pyetjet standarde.
Pse e krijuat NightFlix Film Festival? Pse menduat se i duhej Shqipërisë?
Era: NightFlix në fakt e ka krijuar Romina. Duke njohur Rominën dhe pasionin e saj për filmin, dhe mungesën në atë kohë të një hapësire ku shfaqeshin filma indipendentë, filma kritikë, filma artistik, dhe duke e ndjerë edhe vetë këtë mungesë si një dashëse shumë e madhe e filmit, mendoj që fillimisht e nisi për vete dhe për shoqërinë (qesh). Pastaj thjesht njerëzit e ndjenë dashurinë me të cilën Romina punonte dhe e përqafuan shumë dhe u rrit si koncept.
Çfarë e bën NightFlix Film Festival të veçantë nga eventet e tjera të kinematografisë në Shqipëri?
Romina: Është festivali i parë që i dedikohet vetëm regjisorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, ose më saktë filmit që flet shqip. Dhe është i realizuar nga artistë shqiptarë. Shpeshherë festivalet janë ndërkombëtarë dhe është në përfitim të festivalit që të jetë i tillë – dhe jam shumë pro dhe jam shumë e lumtur që ne kemi kaq shumë festivale të mira në vendin tonë – por NightFlix është i vetmi që vë në piedestal regjisorët e rinj, kemi vetëm një çmim, që është çmimi i audiencës.