Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Një grusht bajame në ditë dhe zemra ju falënderon? Kolesteroli i mirë rritet deri në…

Një zakon i thjeshtë i përditshëm mund të ketë ndikim të madh në shëndetin e zemrës. Sipas një studimi të fundit shkencor, konsumimi i vetëm një grushti bajame në ditë mund të rrisë nivelin e kolesterolit të mirë (HDL) deri në 19%, një faktor kyç për shëndetin kardiovaskular.

Studiuesit zbuluan se bajamet jo vetëm që ndihmojnë në rritjen e kolesterolit të mirë, por edhe përmirësojnë aftësinë e trupit për të larguar kolesterolin e keq (LDL) nga gjaku, duke e transportuar atë drejt mëlçisë, ku shpërbëhet dhe eliminohet.

Hulumtimi u zhvillua gjatë një periudhe gjashtëjavore dhe përfshiu dy grupe personash me nivele të larta të kolesterolit të keq. Grupi i parë konsumoi çdo ditë rreth 43 gramë bajame, afërsisht një grusht, ndërsa grupi i dytë konsumoi një ëmbëlsirë me bazë bananeje.

Në përfundim të studimit, rezultatet ishin të qarta: pjesëmarrësit që kishin konsumuar bajame shënuan një rritje mesatare prej 19% të kolesterolit të mirë.

Veçanërisht tek personat me peshë normale, u vu re edhe një rritje prej 6.4 përqind e aftësisë së organizmit për të transportuar kolesterolin e tepërt drejt mëlçisë.

Ekspertët theksojnë se kolesteroli i mirë luan një rol vendimtar në pastrimin e enëve të gjakut, duke mbledhur kolesterolin e tepërt nga indet dhe qelizat dhe duke e çuar atë në mëlçi për eliminim.

Përveç këtij efekti, bajamet janë të pasura me magnez dhe kalium, minerale që ndihmojnë në reduktimin e kontraktimeve muskulore dhe balancimin e lëngjeve në trup.

Ato përmbajnë gjithashtu fibër dhe proteina, duke i bërë një ushqim të shëndetshëm dhe të ngopshëm. Rreth 10 bajame përmbajnë afërsisht 100 kalori.

Studimi forcon edhe një herë idenë se ndryshimet e vogla në dietën e përditshme, si shtimi i bajameve, mund të sjellin përfitime të mëdha për shëndetin e zemrës dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.