Alpinisti polak, Andrzej Bargiel bëri një zbritje nga Everesti me ski, por pa përdorur oksigjen duke u bërë personi i parë në botë që arrin një sukses të tillë, njoftoi ekipi dhe organizatori i ekspeditës së tij. Pasi arriti majën më të lartë në botë pa maskë oksigjeni, në 8 mijë e 848 metra, ai nisi zbritjen me ski në shpatet me dëborë.
Disa video të publikuara në llogarinë e Bargielit në Instagram e tregojnë duke u ngjitur në majë, para se të rrëshqasë mbi dëborën e pastër. Everesti është zbritur me ski shumë herë, por asnjëherë plotësisht dhe pa ndihmën e bombolave të oksigjenit, ashtu siç ia doli alpinisti 37-vjecar.
Chhang Dawa, organizator i kësaj ekspedite, shpjegoi se alpinisti polak bëri ski deri në Kampin 2, ku kaloi një natë, para se të vazhdonte zbritjen e tij në kampin e bazës, të nesërmen.
Ishte ekstremisht e vështirë dhe asnjë person nuk e kishte bërë më parë dhe sidomos pa ndihmën e oksigjenit, theksoi Chhang Dawa.
Reshjet e dendura të dëborës e detyruan të kalonte 16 orë në zonën e vdekjes, e ndodhur mbi 8 mijë metra. Kjo zonë quhet e tillë sepse ajri përmban vetëm 30% të oksigjenit që ndodhet në nivelin e detit, e cila mund të çojë në lodhje ekstreme dhe në vdekje brenda disa orëve.
Pas kthimit në bazë, Bargiel u prit me një “khada”, shall tradicional budist.
Qielli është limiti? Jo për polakët. Andrzej Bargiel bëri ski në malin Everest, deklaroi në X kryeministri polak, Donald Tusk.
Ai hyri në histori dhe ky përbën një hap vendimtar për alpinizmin me ski, shtoi ekipi i tij në një njoftim për shtyp.