Shkencëtarët vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për sëmundjet që shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve të panatyrshme në botë, përfshirë lloje të ndryshme të kancerit dhe sëmundjet neurodegjenerative.
Një zbulim i ri ofron shpresë për përballimin e rënies njohëse që shoqëron sëmundje si Alzheimeri.
Një studim i fundit nga Universiteti Federal i Rio de Janeiro (UFRJ) dhe Universiteti i São Paulo, në Brazil, ka identifikuar një molekulë që mund të luajë rol kyç në parandalimin e kësaj rënieje: hevinën (e njohur ndryshe si SPARCL-1).
Hevina është një proteinë e prodhuar natyrshëm në tru nga astrocitet – qeliza që ndihmojnë në krijimin e lidhjeve mes neuroneve dhe që janë thelbësore për funksionimin e tyre.
Studiuesit kanë eksperimentuar me rritjen e niveleve të hevinës te minjtë, si të shëndetshëm ashtu edhe te ata që shfaqnin shenja të ngjashme me Alzheimerin.
Rezultatet ishin premtuese: pas gjashtë muajsh, minjtë e trajtuar treguan përmirësim të ndjeshëm në kujtesë dhe aftësi më të mira për të mësuar krahasuar me minjtë e patrajtuar.
Skanimet e trurit zbuluan se sinapset e tyre – lidhjet mes neuroneve – funksiononin më mirë, duke përmirësuar komunikimin nervor.
Hevina është e njohur për rolin e saj në plasticitetin neuronal. Zbuluam se rritja e prodhimit të saj përmbysi deficitet njohëse te kafshët e moshuara duke forcuar sinapset e tyre
-shpjegoi neurobiologia Flavia Alcantara Gomes nga UFRJ.
Studimi ka përfshirë edhe analizimin e trurit të pacientëve me Alzheimer, ku u zbulua se niveli i hevinës ishte dukshëm më i ulët se normalja.
Kjo forcon bindjen se kjo proteinë dhe astrocitet mund të jenë kyçe në ecurinë e sëmundjes.
Për momentin, vlera kryesore e këtij hulumtimi është rritja e njohurive mbi mekanizmat qelizorë dhe molekularë që qëndrojnë pas sëmundjes së Alzheimerit dhe procesit të plakjes
-shtoi studiuesi brazilian.
Ky zbulim hap rrugën për kërkime të mëtejshme që mund të çojnë në terapi të reja për parandalimin ose ngadalësimin e rënies njohëse.