Politikë

“Nuk ka avokat që e merr përsipër Ballukun”/Bardhi: SPAK mund të veprojë me arrestim edhe pa autorizim të Kuvendit!

Gazment Bardhi thotë se Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi duhet të mbledhë Këshillin e Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut.

Sipas tij, me provat që SPAK ka sjellë në Kuvend për Belinda Ballukun nuk ka avokat që e merr përsipër për ta mbrojtur.

“Duke qenë se e pandehura donte ta hante gjelin e detit jashtë burgut, kërkoi tre javë kohë. Ky tre javor ka skaduar sot në afatin e vet maksimal. Nga nesër nuk ka alibi për kryetarin e Kuvendit për të mos mbledhur këshillin, për të mos ftuar SPAK. Zonja po të dojë të vijë do të këtë mundësinë dhe të drejtën që i njeh ligji dhe Kushtetuta për të mbrojtur veten. Megjithëse me këto prova që ka sjellë prokuroria nuk ka avokat që e merr përsipër, jo dy por 20 le të marrë nuk ka avokat që e merr përsipër. Kështu që hapi jonë i radhës do të jetë mbledhja e Këshillit të enjten dhe nëse nuk ndodh do të depozitojmë kallëzim penale në SPAK për shpërdorim detyre ndaj kryetarit të Kuvendit”, u shpreh kryetari i Grupit Parlamentar të PD.

Ndërkohë sipas tij Kushtetuta lejon që në rastet e flagrancës SPAK të veprojë edhe pa autorizim të Kuvendit.

“Kushtetuta lejon që në rastet e flagrancës SPAK të veprojë edhe pa autorizim të Kuvendit dhe Kuvendi duhet të shprehet brenda 24 orëve nëse do të vijojë masa e arrestit apo jo. Prokuroria ka thënë që në vijim te hetimeve ka konstatuar që Balluku është duke intimiduar dëshmitarët dhe të prishë provat, por nuk e di nëse këto prova janë të mjaftueshme për të urdhëruar arrestimin e saj. Këtë e thotë Prokuroria“, tha Bardhi.