Bota

Paralajmërimi i policisë, online qarkullon loja e rrezikshme “Jonathan Galindo” e ngjashme me “Balena Blu”

Policia e Shtetit paralajmëron kundër qarkullimit të një loje të rrezikshme virtuale e njohur si “Jonathan Galindo”, e ngjashme me “Balenën Blu” e “Momo”-n. Fëmijët dhe adoleshentët e moshave 10 deri në 18-vjeç i çon deri në vetëvrasje. “Jonathan Galindo”, gjithashtu i identifikuar si “Cursed Goofy” përshkruhet si njeri i veshur me maskat e qenit “Goofy” apo të personazhit “Mickey Mouse”. Përmes rrjeteve sociale, përdorues anonimë dërgojnë mesazhe duke i pyetur nëse dëshirojnë të luajnë. Në rast se refuzojnë, kërcënohen me publikimin e informacioneve personale. Në shënjestër janë dhe gratë. Ata që pranojnë i presin 50 sfida, më e fundit e të cilave rrezikon t’i çojë drejt vetflijimit.

Edhe pse deri tani në Shqipëri nuk ka raste të lojës “Jonathan Galindo”, Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të monitorojnë pjesëtarët e familjes, veçanërisht fëmijët. Duhet patur kujdes nëse marrin mesazhe e postime ose referohen në #f57, #f40 dhe #I’maWhale. Të shihen ndryshime ekstreme në zakonet e tyre të të ngrënit apo të gjumit. Përdorimi i veshjeve të gjata që mbulojnë mirë pjesët e trupit me qëllim që të fshihen vetëdëmtimet trupore.