Offset është shprehur i lodhur nga betejat ligjore me Cardi B dhe dëshiron të përqendrohet tek mirëqenia e fëmijëve të tyre. Reperi 33-vjeçar tha për TMZ: “Dua vetëm paqe për familjen tonë dhe që ne të fitojmë. Ne kemi fëmijë për t’u kujdesur”. Ai shtoi se do të mbështesë publikimin e albumit të ri të Cardi B, “Am I the Drama”, që del më 12 shtator. Çifti, i cili u nda në korrik 2024, ka tre fëmijë.
Deklarata e tij vjen pas akuzave të Cardi B në rrjetet sociale, ku ajo e akuzoi ish-bashkëshortin se e kishte lënë me faturat e fëmijëve për një vit rresht. Cardi B dhe Offset u martuan në vitin 2017, por u larguan nga njëri-tjetri para se ajo të paraqiste kërkesën për divorc. Megjithëse mes tyre ka pasur akuza e tensione, të dy duket se kanë një qëllim të përbashkët, të mbajnë familjen të bashkuar dhe të sigurojnë një të ardhme të qetë për fëmijët e tyre.
Ndërkaq, Cardi B ka dalë fituese në Los Angeles pasi u shpall e pafajshme ndaj akuzave kundrejt saj për sulm dhe dhunë fizike në një çështje civile. Juria vendosi në mënyrë unanime që reperja e njohur nuk do të paguajë asnjë dëmshpërblim në çështjen prej 24 milionë dollarëshe, që ishte ngritur nga ish-roja e saj e sigurisë, Emani Ellis. Sipas TMZ, Cardi B, e cila është nënë e tre fëmijëve po planifikon të padisë tani atë, pasi fitoi gjyqin.
Ellis e akuzoi në vitin 2018, duke thënë se Cardi B e kishte pështyrë dhe i kishte thënë fjalë raciste, si dhe se e kishte goditur në faqe me thonj, duke i shkaktuar lëndime. Por Cardi B mohoi që të ketë pasur ndonjë përleshje fizike, duke thënë se në atë kohë ishte shtatzënë dhe se Ellis ishte më i madh fizikisht. Ajo tha se të dy kishin vetëm një debat verbal, pasi roja e sigurisë e kishte filmuar gjatë një vizite te mjeku, kur ajo ishte shtatzënë me vajzën e saj të parë, Kulture gjë që Cardi e konsideroi si shkelje të privatësisë.