Aktualitet Bota

Për të 18-in vit radhazi, vendi më i paqtë në botë është Islanda/Përmirësime për Shqipërinë!

Në një botë të trazuar nga konflikte dhe pasiguri, Indeksi Global i Paqes 2025 sjell lajme pozitive për disa shtete që kanë zgjedhur rrugën e stabilitetit. Islanda kryeson renditjen për të 18-tin vit radhazi. Mes tyre, Shqipëria shënon përmirësim, duke u renditur e 52-ta, me një përmirësim prej 6 pozicionesh nga viti i kaluar. Në renditjen e këtij viti, vendi ynë pozicionohet më mirë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por pas Malit të Zi, Kroacisë e Sllovenisë.

Indeksi Global i Paqes 2025 tregon se stabiliteti është rezultat i institucioneve të forta, drejtësisë sociale dhe politikave të jashtme të zgjuara. Faktorët kryesorë të vlerësimit përfshijnë sigurinë shoqërore dhe publike, nivelin e përfshirjes në konflikte, kapaciteti ushtarak.

Niveli GPI do të thotë Global Peace Index (Indeksi Global i Paqes). Ky është një vlerësim numerik që mat sa paqësor është një vend. Sa më i ulët të jetë ky numër, aq më paqësor është vendi. Vendet u vlerësuan me pikë mes 1.000 dhe 5.000. 1.000 është vlerësimi më i mirë (paqja maksimale), ndërsa 5.000 është më i keqi (paqe minimale, domethënë shumë dhunë ose luftë).

Lista e 10 vendeve më paqësore në botë për 2025-ën dhe arsyet pse dallohen:

1. Islanda (1.095 pikë): Pa ushtri, krimi thuajse i papranishëm, fokus në energji të rinovueshme dhe sistem drejtësie rehabilitues.

2. Irlanda (1.260): Nga një e kaluar e trazuar në një demokraci të qëndrueshme dhe neutrale ndërkombëtarisht.

3. Zelanda e Re (1.282): Qeverisje progresive, theks te të drejtat e popullsisë indigjene dhe angazhim për misione paqeruajtëse.

4. Austria (1.294): Neutraliteti i përhershëm, shtet federal me shërbime sociale të forta.

5. Zvicra (1.294): Demokraci direkte, neutralitet ushtarak, stabilitet financiar dhe diversitet në harmoni.

6. Singapori (1.357): Shtet-qytet i disiplinuar me ekonomi të fortë dhe qasje pragmatike në politikën e jashtme.

7. Portugalia (1.371): Kalim i suksesshëm drejt demokracisë, politika sociale përfshirëse dhe trajtim i avancuar i çështjeve të drogës.

8. Danimarka (1.393): Shoqëri e barabartë, fokus te mirëqenia dhe ndihma ndërkombëtare.

9. Sllovenia (1.409): Histori suksesi pas luftërave të Ballkanit, stabiliteti e karakterizon këtë vend të vogël mes Lindjes dhe Perëndimit.

10. Finlanda (1.420): Sistem arsimor i shkëlqyer, përfitime sociale të gjera dhe qëndrueshmëri përballë sfidave historike.

Këto shtete kanë diçka të përbashkët: qeverisje demokratike funksionale, ekonomi të zhvilluara, investime në edukim e shëndetësi, si dhe politika të jashtme të kujdesshme. Ato tregojnë se paqja nuk është një ideal i largët, por një realitet i ndërtuar me përkushtim, solidaritet dhe vizion afatgjatë.

Nëse pjesa tjetër e botës dëshiron të shmangë krizën e radhës, ndoshta është koha të mësojmë nga këta kampionë të paqes./ shqip.al