Politikë

Përjashtimi i Bardhit me 15 ditë nga punimet në Kuvend, Korreshi me batuta: Na bënë ulje çmimi!

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u përjashtua me 15 ditë nga punimet në Kuvend pas ofendimeve ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi në seancën e së enjtes.

Në një prononcim për gazetarët, deputeti i PD, Saimir Korreshi u shpreh se qëllimi i mazhorancës është t’i mbyllë gojën opozitës, duke përjashtuar një nga zërat kryesorë të PD-së.

Po ashtu nuk munguan as batutat, duke thënë ‘na bënë ulje çmimi’, referuar kërkesës së PS për përjashtim 30 ditë, por vendimi u mor vetëm për 15.

LEXO EDHE:  Akuzat për aeroportin e Vlorës, Bardhi: Korrupsioni ka kaluar çdo kufi, përgjegjës Rama dhe Balluku!

“Na bënë ulje, ulje çmimi duke qenë se brenda 15 ditëve mbaron raportimi.  Qëllimi i vetëm është t’i mbyllë gojën opozitës. Fjala e deputetit prevalon. Nuk e kemi në rregullore mënyrën se si drejtohet pyetja. Ne nuk kemi rënë pre e provokimeve. Është haptazi që si e si, një nga figurat më të forta të mos jetë prezent. Kjo është e gjitha. E di kush është ironia më e madhe? Po të shikosh këta ‘new entry’ kërkojnë që të mos mbyllet parlamenti”, u shpreh demokrati.

LEXO EDHE: Bardhi reagon pas propozimit të PS për bashkëdrejtimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit: Regres i papranueshëm!

14 deputetë socialistë kërkuan përjashtimin e Bardhit nga punimet e parlamentit, sipas tyre, lidhur me ofendimet që ligjvënësi demokrat drejtoi ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi, duke e quajtur “zar i Ballës” në seancën plenare të së enjtes së kaluar, më 16 tetor. Përjashtimi erdhi në vijim të disa paralajmërimeve të dhëna nga Peleshi.

Vetë Bardhi, në një prononcim për gazetarët pas përjashtimit nga seanca, e quajti masën disiplinore pjesë të një “skenari” të ndërtuar për të kaluar raportimet e institucioneve të drejtësisë pa diskutime.