Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një padi kundër Ministrisë së Financave, siç u shpreh “për cënimin e buxhetit të kryeqytetit”. Ai akuzoi ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për bllokadë politike ndaj Komunës së Prishtinës.
Për mediat, Rama u shpreh se bëhet fjalë për 35 milion euro, që sipas tij, ligjërisht i takojnë kryeqytetit dhe janë bllokuar prej 9 muajsh.
Në Ligjin për menaxhimin e financave publike në Kosovë përcaktohet se komunat kanë afat deri më 30 shtator për të miratuar buxhetin e tyre për vitin pasues fiskal. Nëse nuk e respektojnë këtë afat, humbin të drejtën për ta propozuar vetë buxhetin për vitin e ardhshëm ndërsa Ministria e Financave harton një version të buxhetit për to, që zakonisht bazohet në shifrat e buxhetit ekzistues.
Komuna e Prishtinës më 9 dhjetor 2024, pra me vonesë, miratoi buxhetin për vitin 2025 në vlerë 128 milion eurosh, rreth 6 milion euro më të lartë se në vitin paraprak.
Në situatë të ngjashme janë edhe Gjilani e Zubin Potoku. Buxhetet e reja të tyre nuk janë përfshirë në Ligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili është miratuar paraprakisht në nëntor nga Kuvendi i Kosovës.
Për shkak se buxheti i Komunës së Prishtinës është miratuar pasi kaloi ligji për Buxhetin, u kërkua të ndryshohet ky ligj, i cili ka kaluar në Qeveri, por jo edhe në Kuvendin e Kosovës. Por, tani nuk mund të votohet, pasi ka paqartësi lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, kur buxheti i ri i një komune nuk përfshihet në Ligjin për buxhetin, për shkak të vonesës në miratimin e tij, Ministria e Financave autorizon shpenzime mujore në nivelin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit të kaluar për çdo muaj, deri në fund të muajit qershor.
Pas kësaj periudhe, nuk mund të autorizohen fonde për kategori të tjera, përveç pagave dhe obligimeve të detyrueshme, e ato kërkojnë miratim nga kuvendi komunal çdo muaj. Kategoritë, si investimet kapitale, mallrat, shërbimet dhe subvencionet, mbeten të bllokuara.