Vatrat aktive të zjarrit, në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore për të neutralizuar flakët që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës. Era e fortë favorizoi përhapjen e shpejtë të tyre gjatë orëve të para të mëngjesit.
Rruga kryesore Himarë-Sarandë pranë Borshit momentalisht nuk është e kalueshme, për shkak të rrezikut nga flakët që kanë pushtuar fshatin turistik.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se teksa gjatë natës zjarrëfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh siguruan perimetra sigurie përreth banesave, Policia e Shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan banorë e pushues që të evakuohen nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt vendeve të sigurta 40 prej tyre.
Zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionin në terren duke bashkërenduar me ekuipazhet e helikopterëve për të eliminuar çdo rrezik.
Mbrëmjen e djeshme u raportua një vatër e fuqishme zjarri edhe në Parkun Kombëtar të Prespës në Pustec, qarku i Korçës. Flakët kanë përpirë sipërfaqe të mëdha me pyll dhe forca të shumta gjenden në terren për t’i shuar. Po hetohet nëse zjarri është i qëllimshëm, në këtë terren të vështirë.
Situata u përkeqësua edhe në Shashicë të Vlorës. Flakët rrezikojnë disa familje në Sherishtë e policia qëndron në gatishmëri nëse nevojitet evakuim i banorëve. Flakët i janë afruar landfillit të Sherishtës e 4 familje u evakuuan.
Një vatër e madhe zjarri u shfaq pasditen e djeshme në Qafën e Buallit në Bulqizë, deri në Klos.
Problematike cilësohet situata edhe në Matogjin të Selenicës, ku vatra e zjarrit po i drejtohet banesave, e ndihmuar nga era. Autoritetet vendore kërkuan forca shtesë.
Nga mali i Shpiragut, mesditën e djeshme, flakët zbritën në fshatin Paftalit të Beratit, ku u evakuuan edhe banorët. Ndërkaq, në fshatin Kopaçëz të Delvinës, situata u vu nën kontroll, por dëmet janë kolosale. Tetë banesa u dogjën plotësisht. Banorët po përballen edhe me mungesën e ujit të pijshëm.
Dëme kolosale ka dhe në fshatrat e tjerë të Delvinës, si Vergo, Palavli e Senicë, ku deri më tani raportohen 30 shtëpi e biznese të djegura pjesërisht. Po kështu u dëmtua kisha 200-vjeçare e Shën Dhimitrit.
Ministria e Mbrojtjes ka aktivizuar dronët Bayraktar TB2 për monitorim ajror, si dhe 4 helikopterë nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile.