Aktualitet

Pjesë e grupit të Laert Haxhiut, arrestohet në Greqi i shumëkërkuari!

Në Pire të Greqisë u vu në pranga Ardian Ahmetaj, 51 vjeç, i akuzuar për vrasjen e Besnik Hidës në vitin 2019, në një atentat të organizuar. Policia e Shtetit bën të ditur se si rezultat i shkëmbimit të informacioneve në kohë reale mes strukturave të specializuara të saj, si dhe homologëve grekë, në Pire, Greqi, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u lokalizua, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi Ardian Ahmetaj, 51 vjeç.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Fierit, në vitin 2023 i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Dyshohet se në vitin 2019, në Lushnjë, në bashkëpunim me Laert Haxhiun e Orges Bilbilin, vranë me armë zjarri shtetasin Besnik Hida, i cili ishte duke pirë kafe në lokal kur iu bë atentati. Dy persona me maska ngjitën shkallët dhe e qëlluan nga dy drejtime të ndryshme viktimën që gjendej në lokalin mbi supermarketin që kishte në pronësi.

Vrasja e Hidës dyshohet se ka lidhje me zinxhirin e  larjes së hesapeve mes grupeve rivale famëkeqe të Lushnjes, Aldo Bares dhe Laert Haxhiut. Viktima ishte daja i Zamir Latifit i vrarë në vitin 2017, në një atentat tjetër. Në Lushnjë, Latifi njihej si shoku i ngushtë i nipit të Aldo Bares.