Në kohë rekord, efektivët e policisë së Himarës arrestuan autorin e plagosjes me armë zjarri rreth orës 02:00 të mëngjesit në një lokal në Borsh. Uniformat blu sqaruan se në pranga ra 42 vjeçari Hekuran Çelaj, pasi qëlloi me armë automatike mikun e tij. Në njoftimin policor zyrtar thuhet:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, pas njoftimit për një konflikt të ndodhur në një lokal në Borsh, rreth orës 02:20 të datës 31.07.2025, janë angazhuar menjëherë, duke shkuar në vendngjarje. Nga veprimet hetimore paraprake dhe këqyrja e pamjeve filmike, dyshohet se pas një konflikti midis disa shtetasve, shtetasi H.Ç. ka plagosur me armë zjarri automatike, shtetasin E.Sh., 33 vjeç, banues në Krujë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i dyshuar, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është lokalizuar dhe shoqëruar në ambientet e DVP Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale, njoftoi policia.
Gjithashtu, u shoqëruan disa shtetas të tjerë të përfshirë në këtë konflikt, ku i riu mbeti i plagosur në pjesën e dorës. Grupi hetimor, i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, gjetjen e armës së zjarrit të dyshuar të përdorur dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.