Në Bruksel u mbyll pa rezultat dita e parë e bisedimeve mes vendeve të Bashkimit Europian për miratimin e Planit të Rimëkëmbjes nga kriza koronavirus në vlerë 750 miliardë euro. Kjo ishte e pritshme, pasi qëndrimet e ndara të vendeve anëtare ishin bërë të njohura, ndaj negociatat u paralajmëruan si të gjata e të vështira. Ndërkaq, në një lokal në Bruksel, kancelarja gjermane Merkel, presidenti francez Macron e kryeministri italian Conte u panë të bisedojnë deri në mbrëmje vonë.
Plani masiv i rimëkëmbjes post-COVID prej 750 miliardë eurosh është objekt i rezistencës, veçanërisht nga ana e vendeve të ashtuquajtura « kursimtare » të Unionit Europian. Ky plan përbëhet nga 250 miliardë euro kredi dhe kryesisht subvencione në nivelin e 500 miliardë eurove, që nuk do të rimbursohen nga shtetet përfituese. Sipas disa burimeve europiane, kjo shumë e fundit, që mund të ulet, është në qendër të bisedimeve.