Numri i njerëzve të bardhë në Shtetet e Bashkuara pritet të bie, sipas të dhënave të fundit të Zyrës së Regjistrimit të SHBA-ve, për herë të parë që nga fillimi i regjistrimit të popullsisë, raporton Washington Post.
Popullsia amerikane pritet të shfaqë vetëm 7.4% rritje në dekadën e fundit – më e ngadalta në histori, me përjashtim të viteve 1930. Pjesa më e madhe e rritjes vjen nga njerëzit me ngjyrë.
Njerëzit hispanikë janë parashikuar të përbëjnë gjysmën e rritjes së popullsisë.
Pjesa e aziatikëve në SHBA pritet të rritet nga 3% në 2010 në 6% në 2020. Pjesa e njerëzve me ngjyrë të zezë do të qendrojë në 12.5% të popullsisë.
Popullsia në SHBA arrin në mbi 308 milion banorë
Çdo 10 vjet qeveria amerikane zhvillon numërimin e popullsisë dhe në pyetësor njerëzit u përgjigjen pyetejeve që kanë të bëjnë me mënyrën e tyre të jetesës. Rezultatet e numërimit të popullsisë të zhvilluara në vitin 2010 ende po organizohen dhe studiohen.
Shtetet e Bashkuara kanë filluar të grumbullojnë të dhëna për regjistrimin e popullsisë që në vitin 1790, siç kërkohet me Kushtetutë. Regjistrimi i popullsisë vitin e kaluar ishte i 23-ti në historinë e vendit. Numri i popullsisë duke filluar që nga 1 prilli i vitit të kaluar, që njihet si dita zyrtare e regjistrimit, ishte 308 milionë e 745 mijë e 538 vetë. Popullsia amerikane është rritur me 27 milionë vetë gjatë 10 viteve të fundit. Kjo ishte një rritje prej më tepër se 9 për qind që nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2 mijë.
Rritja e popullsisë në SHBA është ngadalësuar që nga regjistrimi i fundit. Në dhjetëvjeçarin e mëparshëm, mes vitit 1990 dhe 2 mijë, popullsia e vendit u rrit me rreth 13 për qind. Në fakt, dekada e vetme me një rritje më të ngadalshme ishte mes viteve 1930 dhe 1940, kur popullsia u rrit me 7 për qind, në periudhën e Depresionit të Madh.
Lind pyetja, përse i duhen këto shifra qeverisë federale? Rezultatet e regjistrimit të popullsisë në SHBA përcaktojnë se sa vende do të ketë secili nga shtetet në Dhomën e Përfaqësuesve. Po ashtu shifrat janë të nevojshme për ndarjen e buxhetit prej më tepër se 400 milionë dollarësh në vit të qeverisë federale. Sa më i madh të jetë numri i banorëve, aq më tepër fonde merr ai shtet. Këto fonde federale përdoren për ndërtimin e rrugëve, shkollave dhe për shërbimin shëndetësor.