Tom Brady ka reaguar në mënyrë enigmatike në rrjetet sociale, pak pasi u bë publik lajmi se ish-bashkëshortja e tij, Gisele Bündchen, është martuar fshehurazi për herë të dytë.
Tre vite pas ndarjes nga legjenda e NFL-së, supermodelja braziliane ka kurorëzuar dashurinë me të fejuarin e saj, instruktorin e xhiu-xhitsu-s Joaquim Valente, në një ceremoni private më 3 dhjetor.
Martesa erdhi vetëm pak kohë pasi çifti mirëpriti fëmijën e tyre të parë së bashku, një djalë.
Sipas Daily Mail, Brady ishte në dijeni të ceremonisë diskrete, por reagimi i tij erdhi vetëm pasi lajmi u bë publik.
Tom ndau në Instagram një selfie ku shfaqet i veshur me një hoodie nga linja e tij e veshjeve “Forever Young”, duke e shoqëruar foton me mbishkrimin e shkurtër: “Yuppppppp”.
Ky postim ka ndezur menjëherë spekulime mes ndjekësve, të cilët po pyesin nëse slogani “Forever Young” ishte një mesazh i nënkuptuar për martesën e re të Gisele.
Brady dhe Bündchen u ndanë në tetor të vitit 2022, pas 13 vitesh martesë, mes raportimeve se fokusi i tepërt i Brady te karriera e tij sportive kishte krijuar përçarje në familje.
Që atëherë, të dy kanë folur me tone të kujdesshme për njëri-tjetrin, ndërsa Gisele ka theksuar se nuk mban asnjë mllef dhe i uron ish-bashkëshortit vetëm lumturi.
Megjithatë, postimi i fundit i Brady-t ka mjaftuar që rrjetet sociale të shpërthejnë me teori dhe interpretime mbi atë që ai vërtet ka dashur të thotë.