Rajoni

Prag proteste në Beograd, kryeparlamentarja Bërnabiç paralajmëron vazhdimin e arrestimeve!

Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiç tha sot se autoritetet do të vazhdojnë t’i arrestojnë ata që “përgatisin vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë”. Komentet i bëri në prag të protestës antiqeveritare të thirrur për të shtunën. Një ditë më parë, policia serbe prangosi 6 vetë me dyshimet e planifikimit të “ndryshimit të Qeverisë në mënyrë të dhunshme”, në një protestë që studentët e kanë paralajmëruar për më 28 qershor në Beograd.

Aksioni për arrestimin dhe identifikimin e këtyre organizatave terroriste do të vazhdojë patjetër. Presidenti i Serbisë do të vazhdojë takimet me shërbimet e sigurisë dhe policinë, me qëllim ruajtjen e rendit kushtetues e parandalimin e gjakderdhjes që ata planifikuan në Vidovdan, u shpreh Bërnabiç për televizionin Pink.

Zyra e Prokurorit të Lartë Publik njoftoi se të dyshuarit ranë dakord të mos ktheheshin në shtëpi pa “vrarë ose shkatërruar” përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, si dhe njoftuan përdorimin e armëve të zjarrit e përgatitën “një sulm ndaj oficerëve të policisë me qëllim çarmatosjen e tyre”.

Bërnabiq “përgëzoi” mediat që morën pjesë në krijimin e një programi special të transmetuar më 25 qershor në disa kanale televizive proqeveritare, me materiale rreth planeve të supozuara për protesta dhe bllokada në Serbi në 7 muajt e fundit.

Kryetari i Partisë Progresive Serbe në pushtet, Millosh Vuçeviç, reagoi duke shprehur besimin që arrestimet nuk kanë mbaruar dhe vlerësoi se shërbimet e sigurisë duhet të identifikojnë “të gjithë” ata që sipas tij, “po planifikojnë ta marrin pushtetin me dhunë”.

Këto arrestime konfirmojnë më së miri se shteti është konsoliduar pas përpjekjes për revolucionin me ngjyra.

Tre ditë më parë, policia arrestoi edhe Stefan Tomiçin, student në Fakultetin e Fizikës në Beograd, me dyshimet lidhur me “thirrje për një ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues”. Arrestimi i tij u dënua nga studentët në bllokadë, profesorët dhe qytetarët që sot u mblodhën në protestë para Pallatit të Drejtësisë në Beograd, ku Tomiç u mor në pyetje.

Që nga fillimi i protestave të mëdha në Serbi, vazhdimisht policia ka arrestuar  studentë, profesorë e demonstrues. Një nga kërkesat e studentëve në bllokadë është që të pezullohen procedurat penale kundër të gjithëve, me vlerësimin se “u arrestuan në kundërshtim me ligjin dhe se ky është një rast presioni e frikësimi nga autoritetet”.

Studentët filluan bllokadat e fakulteteve dhe protestat në fund të nëntorit të kaluar, duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 njerëzve nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024.