Nga sot e deri më 12 prill, presidenti Bajram Begaj nis një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Fillimisht, kryetari i shtetit shqiptar do të vizitojë komunën e Gjilanit, ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni. Ndërkaq, Bajram Begaj pritet të nderohet edhe me titullin “Qytetar Nderi” i komunës së Gjilanit. Ceremonia zhvillohet në orën 14:00.
Policia njofton se gjatë kësaj vizite që realizohet në Republikën e Kosovës do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës presidenciale, si dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë. Në njoftimin zyrtar thuhet:
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Vërmicë si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës në rajonet e Kosovës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Për këtë, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.