Princ William kaloi vitet e para të viteve 2000 si student në “University of St Andrews”, aty ku do të niste edhe historia e dashurisë me gruan e tij të ardhshme, Kate Middleton.
Gjatë asaj periudhe, trashëgimtari i fronit britanik u përpoq të jetonte sa më normalisht, larg rregullave të pallatit mbretëror dhe vëmendjes së vazhdueshme publike.
Sipas ish-kolegut të tij, Brad MacKay, stafi universitar bëri gjithçka që William të përjetonte jetën tipike të një studenti. Ai tregoi se princi trajtohej si çdo i ri tjetër në kampus dhe ishte pjesë e jetës sociale e akademike pa privilegje të dukshme.
Ai ecte lirshëm si çdo student tjetër dhe të gjithë e linin të ishte thjesht një prej tyre
-është shprehur MacKay, i cili sot punon si profesor në të njëjtin universitet.
“University of St Andrews” është bërë ndër vite i famshëm edhe për historitë romantike mes studentëve.
Madje, sipas stafit akademik, ekziston një shaka e njohur në kampus:
Ndoshta këtu do të takoni bashkëshortin ose bashkëshorten tuaj.
William dhe Kate u njohën fillimisht gjatë studimeve, ku të dy ndoqën degën e historisë së artit. Marrëdhënia e tyre nisi si miqësi, përpara se të shndërrohej në romancën që më vonë do të pushtonte titujt e mediave botërore.
Një nga momentet më të përfolura të asaj kohe ishte pjesëmarrja e Kate në një sfilatë studentore bamirësie, ku William ndodhej mes publikut dhe thuhet se mbeti i mahnitur.
Në fund të studimeve, Princ William u diplomua në gjeografi, ndërsa Kate Middleton në historinë e artit, duke nisur kështu rrugëtimin që do t’i çonte drejt familjes mbretërore britanike.