Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë bëri të ditur se për shkak të problemeve me internet, procesi i numërimit të votave nuk ka nisur në në tri qendra komuna të numërimit (QKN): në Prishtinë, Podujevë e Kllokot.
Këtë pikë e sqaroi edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, një ditë më parë, kur tha se problemi qëndron se “transmetimi i pamjeve në televizorët/ekranet për vëzguesit”.
Në këto ekrane shfaqen pamjet nga kamera e vendosur në tavolinën e numërimit ku prezantohen fletëvotimet, për t’u parë nga të gjithë, shkroi Elezi në llogarinë e tij në Facebook.
Ndërkohë, numërimi është duke vazhduar në qendrat e tjera, përveç Hanit të Elezit, ku u përmbyll dje në mbrëmje.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri tani janë verifikuar rezultatet për kryetarë të komunave e të subjekteve politike për kuvende komunale, si dhe janë numëruar votat për anëtarë të kuvendeve komunale.
Votat me kusht dhe ato të diasporës nuk janë numëruar ende. Referuar të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 21 komuna, gara zgjedhore përfundoi në raundin e parë, ndërsa në 17 të tjera do të zhvillohet balotazh. Dalja në votime ishte nën 40%, më e ulët se në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Pas zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, që u mbajtën më 9 shkurt, KQZ-ja pati marrë kritika të shumta për procesin, pasi që faqja zyrtare ku publikoheshin rezultatet, nuk funksiononte.
Vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe problemet e njëpasnjëshme me faqen e KQZ-së, softueri i së cilës për raportimin e rezultateve binte nga sistemi vazhdimisht, ngritën dyshime në lidhje me integritetin e procesit zgjedhor.
Por, KQZ-ja i ka hedhur poshtë dyshimet e ngritura rreth procesit zgjedhor, duke thënë se “integriteti i votës nuk është cënuar”. Këtë herë faqja e KQZ-së nuk është përballur me probleme, edhe pse në disa qendra komunale të numërimit ka pasur probleme me lidhjen e internetit.