Rajoni

Procesi i Berlinit, nesër Konferenca e Kryediplomatëve të Ballkanit Perëndimor!

Nën drejtimin e kryediplomatit të Gjermanisë, Heiko Maas, nesër zhvillohet Konferenca e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Konferenca ka për qëllim të parapërgatisë samitin e shefave të qeverive që në fillim të korrikut do të drejtohet nga kancelarja Angela Merkel​. Shefave të diplomacive të vendeve të rajonit pritet t’iu bashkohen edhe ministra të jashtëm të disa shteteve anëtare të  Bashkimit Europian, si dhe Eurokomisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi e Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian, Stefano Sannino. ​​​​​​

Procesi i Berlinit është nismë e kancelares Merkel, e krijuar në vitin 2014.  Në fokus ka përmirësimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të mbështetur procesin e anëtarësimit europian të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë. Pas Gjermanisë nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë deri tani Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgaria/Maqedonia e Veriut.

Gjithashtu, procesi konsiderohet “paradhomë e Unionit”. Një nga arritjet e deritanishme është miratimi i planit për tregun e përbashkët rajonal  dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office). Por konfliktet e pazgjidhura mes vendeve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për funksionimin si duhet të nismave të dala nga Procesi i Berlinit.