Bota

Prokuroria kërkon 7 vite burg dhe 300 mijë euro gjobë për Nicolas Sarkozy!

Prokuroria franceze i ka propozuar Gjykatës së Apelit një dënim me shtatë vite burg, një gjobë prej 300 mijë eurosh dhe heqjen e së drejtës për të kandiduar për pesë vjet ndaj ish-presidentit Nicolas Sarkozy, në lidhje me çështjen e financimit të dyshuar libian të fushatës presidenciale të vitit 2007.

Kërkesa u paraqit nga Prokurori i Përgjithshëm, Rodolphe Jouy-Birman, i cili deklaroi para trupit gjykues se Sarkozy “duhet të ndëshkohet në përputhje me seriozitetin e veprimeve”, duke theksuar se ish-presidenti “duhet të trajtohet si çdo i pandehur tjetër”.

Propozimi i prokurorisë në apel mbetet i njëjtë me atë të paraqitur gjatë gjykimit në shkallën e parë.

Në vendimin e mëparshëm, Sarkozy ishte dënuar me pesë vjet burg me kusht, një gjobë prej 100 mijë eurosh dhe heqje të të drejtave politike për pesë vjet, me efekt të menjëhershëm.

Çështja lidhet me dyshimet se fushata presidenciale e Sarkozy në vitin 2007 është financuar në mënyrë të paligjshme nga regjimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi.

Ish-presidenti francez u dënua vitin e kaluar me pesë vite burg për konspiracion kriminal, në lidhje me një skemë të dyshuar financimi të fushatës së tij zgjedhore nga regjimi i Muammar Gaddafi. Me këtë vendim, ai u bë ish-kreu i parë i një shteti të Bashkimit Europian dhe lideri i parë francez i pasluftës që përfundon në burg.

LEXO EDHE: Sarkozy rikthehet në gjykatë, Carla Bruni tërheq vëmendjen me paraqitjen e saj

Pas rreth 20 ditësh të kaluara në një burg në Paris, të cilat ai i përshkroi si “rraskapitëse” dhe “të tmerrshme”, Sarkozy u lirua në nëntor, në pritje të procesit të apelit. Ndërkohë, ai ka publikuar edhe një libër mbi përvojën e tij në burg.