Aktualitet

Propozimi për “privatizimin” e tenderave të AKSHI-t, Tabaku: Kjo s’është reformë, por shmangie përgjegjësie! Po krijohet një “ishull” institucional larg kontrollit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar kundër propozimit ligjor të socialistëve për kalimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI) tek një kompani me pjesëmarrje publike dhe private, pas skandalit që preku këtë institucion dhe akuzave të SPAK se kanë vepruar si grup kriminal.

Në një reagim në rrjete sociale, deputetja thotë se ajo që po mundohen të bëjnë është shmangia e përgjegjësisë pasi SPAK akuzoi drejtuesit e këtij institucioni se kanë vepruar si një grup kriminal, dhe se pas këtij skandali, duhej të ishte bërë një auditim dhe kontroll i plotë.

Sipas deputetes, tenderat publikë të AKSHI-t, përmes kësaj nisme të propozuar, dhe miliona eurot nuk do të menaxhohen më nga një agjenci shtetërore nën kontrollin parlamentar por “nga një entitet me autonomi të zgjeruar, me rregulla të brendshme dhe me mbikëqyrje të paqartë.”

“Kjo nuk është reformë. Është zhvendosje përgjegjësie. Pasi krerët e AKSHI-t janë nën akuzë si Grup i Strukturuar Kriminal dhe pasi mbi 400 milionë euro janë shpenzuar në katër vite, reagimi normal do të ishte auditim i plotë financiar dhe teknik, forcim i kontrolleve dhe rishikim i procedurave.

Por jo. Mishin e pjekim, por hellin nuk e djegim. Në vend që të pastrohet sistemi, propozohet transferimi i “çelësave” të tenderave te një kompani hibride. Një ishull institucional, larg syve të opozitës dhe larg mekanizmave klasikë të kontrollit.”, shprehet deputetja.