Ditën e sotme, Partia Socialiste e Durrësit feston 35 vjetorin e themelimit të saj.
Përmes një ceremonie të zhvilluar në qytetin bregdetar, është pasqyruar aktiviteti i kësaj force politike, përgjatë këtyre viteve të demokracisë.
Në aktivitet kanë qenë të pranishëm disa figura të rëndësishme të kësa force politike, përfshi kryeministrin Edi Rama, por edhe mbështetës ndër vite të Partisë Socialiste. Gjatë ceremonisë, janë zhvilluar edhe aktivitete të tjera, të cilat kanë sjellë një atmosferë festive mes të pranishmëve.
Gjatë fjalës së tij, drejtuesi politik i PS për qarkun Durrës, Blendi Klosi, tha se anëtarët e kësaj force politike duhet të ndihen krenarë. Kjo pasi sipas tij, kjo forcë politike i ka shërbyer Shqipërisë dhe po vijon t’i shërbejë.
Klosi shprehu bindjen se me kryeministrin Edi Rama dhe lidershipin e tij, PS do të vijojë ta qeverisë Shqipërinë, deri në integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Në 35 vjetorin e PS, ne të gjithë, anëtarët e thjeshtë, ata që kanë kontribuar për PS-në, duhet të ndihen krenarë. Sepse për 35 vite kjo parti i ka shërbyer Shqipërisë. I kemi shërbyer Shqipërisë nga dita e themelimit, deri në ditën e integrimit. Me Edi Ramën dhe lidershipin e tij ne do të vazhdojmë të fitojmë, do ta çojmë Shqipërinë në BE”, tha mes të tjerash Klosi.