Aktualitet Politikë

Qeveria “Rama 4” betohet në Presidencë!

Kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat e kabinetit të ri qeveritar sot u betuan në Presidencë. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj lexoi dekretin e formulën e betimit. Një nga një u betuan me dorë në Kushtetutën e Shqipërisë. Pas betimit, Rama thërret mbledhjen e parë të ekzekutivit.

Një ditë më parë, në një seancë me tensione të forta, Kuvendi miratoi pa debat programin e qeverisë dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave me 82 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim. Për herë të parë në këtë mandat, në kabinetin qeveritar ka një ministre digjitale, “Diella”. Javën e kaluar, presidenti Begaj dekretoi Edi Ramën si kryeministër, për herë të katërt që prej vitit 2013.

Opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella” në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.

Pas seancës, PD-ja mblodhi Grupin Parlamentar. Gazment Bardhi tha se u vendos që të kërkohet përsëritja e seancës dhe se po ashtu do të fillojnë procedurat për mocion për shkarkimin e Peleshit si kryetar i Kuvendit.

Përbërja e Qeverisë: 

Edi Rama, Kryeministër

Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella”

Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme

Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

Petrit Malaj, Ministër i Financave

Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit

Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit

Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit

Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë

Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes

Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor

Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator

Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin