Aktualitet Politikë

QSUT në partneritet me “San Raffaele”, Rama: E kthejmë në qendër ekselence në Ballkan dhe Evropë

Firmoset memorandumi mes QSUT dhe Universitetit të Mjekësisë në Tiranë me Qendrën Spitalore Universitare të ekselencës evropiane “San Raffaele” dhe universitetin “Vita- Salute San Raffaele”. Ky partneritet synon ta bëjë QSUT-në dhe Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, pjesë integrale të tyre, duke u bërë një ofrues të një niveli evropian kujdesi dhe edukimi mjekësor.

Nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë kryeministri Edi Rama, e cilësoi si moment historik për shëndetësinë në vend. Rama tha se synimi është shndërrimi i QSUT në një pikë referimi në Ballkan dhe në një pikë ekselence në Evropë.

“Ky është një moment historik për shëndetësinë tonë, për QSUT, por edhe për vetë Shqipërinë. Sot hapim një faqe krejt të re, në një rrugë që ka qenë e gjatë, jo e lehtë dhe kishte një pikënisje që të thuash dëshpëruese është pak, në një sistem shëndetësor ku e vetmja vlerë ka qenë ajo e profesionistëve që në kushte skandaloze luftonin për të mbrojtur dhe shpëtuar jetë. Ndërkohë as nuk mendonin më dot se një ditë kushtet do të bëheshin ato që janë sot. Përsëri ne jemi shumë më ambicioz. Nuk jemi të kënaqur me çfarë kemi arritur. Duam të shkojmë më tutje. Ambicia është që të bëjmë këtë qendër si pikë referimi të Ballkanit dhe ka kthejmë në një qendër ekselencë mes qendrave të ekselencës në Europë”, – u shpreh Rama.

LEXO EDHE: “6 mln euro për non-gratën e Berishës”, Rama nga Vlora: Ku u gjetën ato para?

Rama shtoi se vlerësimet për personelin e QSUT janë baza e besimit se mund ta transformojnë qendrën në një qendër ekselence për kujdesin shëndetësor për të gjithë Ballkanin.

“Synimi është që deri në 2030, nga njëra anë QSUT të pësojë atë transformim që grupi i “San Raffaele”-s ka sjellë në Poloni, duke u  përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset, menaxhimin e qendrës, në organizimin e gjithë jetës përditshme të qendrës dhe duke bashkuar në kuptimin e vërtetë profesionistët e të dyja anëve, “San Raffaele”-s dhe QSUT. E njëjta ambicie është edhe për universitetin. Kemi shembullin e Universitetit BOKU të Vjenës, që ka filluar procesin e shkrirjes me UBT, që në fund të kësaj dekade, të vijnë studentë nga e gjithë Evropa për të studiuar me të gjithë parametrat e Universitetit të Vjenës dhe për të marrë një diplomë të njëjtë. Qëllimi është i njëjti, që në Universitetin e Mjekësisë të merret e njëjta diplomë si ajo e  “San Raffaele”-s dhe Tirana të jetë degë e universitetit të “San Raffaele”-s. Ky është objektivi i fundit të dekadës”, – tha Rama.