Aktualitet Politikë

Akademia e Aviacionit në Vlorë, KAYO firmos marrëveshjen me kompaninë izraelite! Më 8 maj, testi i parë i uljes së avionit në pistën e Vlorës

Këtë të dielë u firmos në Vlorë marrëveshja mes kompanisë ushtarake shtetërore të Shqipërisë, KAYO, dhe kompanisë izraelite elitare në fushën e mbrojtjes, Elbit Systems Ltd., për themelimin e Akademisë së Aviacionit.

Kryeministri Edi Rama tha se kjo marrëveshje është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të mbështetjes së plotë të aviacionit civil dhe të forcave tona të armatosura, me një kapital njerëzor të kualifikuar cilësisht për kohën që jetojmë.

“Marrëveshja për krijimin e kësaj akademie është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të mbështetjes së plotë të aviacionit civil, qoftë të forcave tona të armatosura me një kapital njerëzor të kualifikuar cilësisht për kohën që jetojmë. Jam i lumtur sot që ne bëjmë të mundur një marrëveshje që i hap rrugën më pas kontratës me një ndër ekselencat botërore në fushën e mbrojtjes, ndërkohë që jemi në një moment kthese historike në fushën e mbrojtjes që diktohet nga konteksti botëror dhe europian. Po përjetojmë një proces tërësisht të dhimbshëm të qasjes ndaj mbrojtjes, të qasjes ndaj idesë së luftës në një botë ku konfliktet nuk duket se do shkojnë duke u shuar, por duke u ndërlikuar për shkak të teknologjisë që përparon. Edhe për ne ka lindur domosdoshmëria t’i qasemi këtij procesi transformimi me një strategji të re dhe kjo strategji e re ka filluar të jetësohet hap pas hapi dhe me marrëveshjen që sapo u firmos. Jemi në një proces diskutimesh në disa drejtime, por thelbi është se ne duam të lindim industrinë tonë të mbrojtjes”,-tha Rama.

LEXO EDHE: Rama takim me gratë e Elbasanit/ Jo 71 mandate në 11 maj, na duhet një fuqi më e madhe!
“Rritjen e buxhetit të mbrojtjes që e kemi fokusuar në mënyrë të veçantë te rritja e mbështetjes, te rritja e forcave të armatosura do ta shtojmë, duke shtuar mbështetjen për ushtarakët tanë në të gjitha aspektet, jo vetëm pagës, por deri te strehimi. Nga ana tjetër do ta fokusohemi edhe te prodhimi, për të vënë në dispozicion të forcave tona të armatosura mjete për të sofistikuara”,-tha Rama.

Para firmosjes së kësaj marreveshje, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njoftoi se më 8 maj, në Aeroportin e Vlorës do të kryhet testi i parë i uljes së avionit në pistën e gjatë prej 3.8 kilometrash.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook, ka njoftuar se aplikimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në Shoqatën Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror, është vlerësuar nga kjo e fundit si aplikim me standardet ndërkombëtare.  Më tej sqarohet se IATA i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave: VLO.

“IATA (Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror) ka vlerësuar aplikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave: VLO”, shkruan Rama.