Botë e Çuditshme

Qytetarja gjen biletën e lotarisë në dollap dhe rezulton fituese e…

Qytetarja amerikane nga Virginia, teksa po pastronte shtëpinë e saj, gjeti një kuti me bileta lotarie në dollap dhe njëra prej tyre rezultoi të ishte fituese e çmimit prej 100 mijë dollarësh. Alfreda Hawkins i tha zyrtarëve të Lotarisë së Virginias se po bënte pastrim në shtëpinë e saj në Richmond kur gjeti një kuti në një dollap që përmbante disa bileta lotarie të paprekura.

Ajo zbuloi se njëra prej tyre, nga loja “$100,000 Extreme Cash”, ishte fituese e çmimit të madh prej 100 mijë dollarësh. “Pothuajse rashë pa ndjenja. Ishte e pabesueshme”-tha ajo. Bileta ishte blerë në dyqanin Shop & Go në Mechanicsville Turnpike, në Richmond. Hawkins tha se ende nuk ka ndonjë plan për mënyrën si do t’i përdorë paratë e fituara.

Ndërkaq, një burrë nga Illinois përdori përsëri numrat nga një biletë e vjetër dhe e harruar e Powerballit dhe përfundoi duke fituar një çmim prej 1 milion dollarësh. Lojtari anonim, i cili përdori pseudonimin Rex, i tha zyrtarëve të Lojërave të Fatit në Illinois se vendosi të blinte një biletë për shortin e Powerball-it të 3 shtatorit pasi gjeti një biletë të vjetër që nuk kishte fituar.

“Unë zakonisht luaj Lotto, por këtë herë gjeta një biletë të vjetër Powerball në sirtar dhe mendova të provoj përsëri ato numra. Çmimi i parë ishte shumë i lartë, mbi një miliard dollarë! Mendova se nuk do të kisha shumë mundësi për një shumë të tillë”-tha burri.