Në takimin e ambasadorëve shqiptarë në botë, kryeministri Edi Rama kërkoi më shumë angazhim prej përfaqësive tona diplomatike, për të përmbushur objektivin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjatë fjalës në konferencën “Diplo 2025”, Rama theksoi se fokusi duhet të jetë te vendet kryesore europiane.
Duhet të fokusohemi te ky objektiv historik që duhet përmbushur me sukses. Këto 4 vite të cilat përkojnë me këtë axhendë, janë 4 vite ku asnjë ditë nuk duhet humbur dhe ku koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së vendimit që do të marrë Këshilli Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Sa i përket negociatave, ato zhvillohen mbi bazë dypalëshe, mes Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian, por e gjithë atmosfera rreth tyre ka një rëndësi të vetën dhe është e ndikueshme nga faktorë të ndryshëm. Për këtë arsye është me shumë rëndësi puna e përditshme e shërbimit tonë diplomatik dhe fokusi i përgjithshëm, sidomos në disa vende europiane, nevoja për të ushqyer me energji pozitive nga Shqipëria e politikbërësve dhe opinionit publik është e një rëndësie të veçantë. Kjo konferencë zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë. Nga ana tjetër të rrisë kapacitetin për të shkuar përtej rutinës së përditshme.
Ndërkaq, Rama kërkoi forcim të shërbimit diplomatik në rajon, ku sipas kryeministrit, Shqipëria ka interesat më të mëdha strategjike dhe “detyrimin që të jemi promotorët e paqes e stabilitetit”.
Duhet vënë theksi te domosdoshmëria për ta forcuar më tej punën tonë si shërbim diplomatik në rajon, në funksion të mbajtjes dhe rritjes së intensitetit të komunikimit jo thjeshtë me qeveritë, por të gjithë aktorët dhe faktorët politikë, institucional apo shoqëror sepse sa i përket rajonit, ne kemi interesat më të mëdha strategjikë dhe detyrimin që të jemi promotorët e paqes dhe stabilitetit.
Sa i përket diplomacisë ekonomike dhe shërbimit konsullor, pati kritika. Diplomacinë ekonomike, kryeministri e konsideroi si hallkën më të dobët të shërbimit tonë diplomatik.
Diaspora dhe shërbimet konsullore kanë qenë në vëmendjen tonë dhe transformimi dixhital i shërbimeve konsullore kanë sjellë një ndryshim domethënës në lehtësimin e barrës së shqiptarëve jashtë Shqipërisë, por ende ka shumë për të bërë. Mund ta përmirësojmë në mënyrë domethënëse shërbimin tonë konsullor. Në tërësi jemi shumë mbrapa dhe rezultati lë shumë për të dëshiruar.
Kryeministri bëri të ditur se do të ngrihet Akademia Diplomatike që do të bazohet në modelet më të mira europiane, për të reformuar kuadrin normativ të shërbimit të jashtëm.