Sot vendimi i socialistëve mbi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, Edi Rama tha para grupit parlamentar dhe ministrave se “gjyqësori ka ndërhyrë te pushtetet e tjera”. Sipas kryeministrit, pezullimi i një ministri nga prokuroria, pa një gjyq të zhvilluar, përbën rast të paprecedentë dhe ndërhyrje në territorin e pushtetit legjislativ.
Rama vuri në dukje se kjo fazë duhet të jetë kalimtare, pasi vendi ka nevojë për një shtet funksional dhe vendimmarrje pa frikë.
Çfarë është pezullimi i një ministri nga një prokuror e gjykatë, me një vendim pa gjyq të zhvilluar, i panjohur në historinë e botës? Çfarë është, përveçse ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ, përpjekja e një shoqate të gjyqësorit për të rritur pagat e veta me gjyq?
Qëkur në historinë me tre pushtete, ai gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave të një vendi? Çfarë është rasti më i fundit, përveçse ndërhyrje në legjislativ, vendimi i Kushtetueses se si Parlamenti ka ndarë komisionet?
Hapu dhe, o tokë! Shpresa është që kjo fazë të jetë kalimtare. S’do të kemi dot një shtet funksional, një administratë që të japë më të mirën e vet pa pasur frikë të marrë vendime, deri në blerjen e letrës higjienike. Ky është fakt dhe është një nga mijëra faktet që mund të jepen. Është një prej fakteve të prodhuara nga frika.
As do të kemi dot një sipërmarrje të lirë në punën e vet. Këto janë leksione që vendet e tjera i kanë nxjerrë me vonesa të caktuara; ne nuk kemi luksin të vonojmë për t’i nxjerrë këto mësime. Janë serioze dhe jo imagjinare.
Antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme se vetë korrupsioni; ka mijëra studime për këtë temë.
Qëndrojmë me shpresë dhe besim e ushqehemi me shpresë, shumë partizanë të zhgënjyer të drejtësisë. Gjyqtarët kanë arritur maja që habisin edhe ekspertët anglishtfolës të këtij qyteti të Reformës në Drejtësi, të cilët, kur dëgjojnë që një gjykatës i thotë një prokurori “rëndoje dorën se e ke të lehtë akuzën”, mbeten të habitur.
Pavarësissht faktit që unë jam kryeministri i dalë nga një votë popullore, me 83 mandate dhe kjo parti nuk e ka një konkurent si faktori më mbështetës i drejtësisë, në thelb ngre probleme serioze me të cilat duhet të merren hartuesit e atyre deklaratave.
Dhe para se të shkruajnë fjalën ‘presion’ për mbështetësin më të madh të tyre, mirë është të kujtojnë ku ishin fshehur kur paraardhësi im e ngrinte puçiste e lavire, prokuroren e përgjithshme.
Mos harrojnë se tani, sot, në këtë kohë atij që s’u bë dot pasardhësi im, nuk ia artikulojnë dot një gjysmë llafi edhe pasi del dhe i lexon librin e shpisë m’u te dera e SPAK. Ndaj iu sugjeroj të merren me mesazhin, jo me mesazherin se paguhen sa frëngu pulën që të qeverisin sistemin e drejtësisë e jo të ankohen.