Ogerta Manastirliu do të mbetet kandidatja e Partisë Socialiste për të drejtuar Bashkinë e Tiranës, kurdo që të mbahen zgjedhjet. Kjo u theksua sot nga kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me qytetarë të Njësisë nr.3 në kryeqytet, në turin e dëgjesave publike për projektbuxhetin e 2026-ës.
Njerëzit që jetojnë në këtë qytet duan shërbimet, rrugën, kopshtin, çerdhen, pastrimin, etj. Ne duhet të bëjmë çmos t’i kenë dhe duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e kësaj detyre, jemi edhe sot këtu, së bashku me Ogertën që ishte dhe mbetet kandidatja jonë për të drejtuar Tiranën kur të vijnë zgjedhjet, bashkë me Delinën, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit që ka barrën e drejtimit politik të skuadrës së deputetëve apo të përfaqësuesve të PS-së në këtë njësi e natyrisht, bashkë me ju.
Në këtë dëgjesë, Rama deklaroi se Shqipëria do të vijojë të jetë vendi i vetëm në rajon dhe Europë ku nuk do të ketë taksë për biznesin e vogël, çka sipas tij, bëhet për të ndihmuar ekonominë familjare.
Shumë e rëndësishme ta theksoj atë që thuhet por thuhet gabim. Jo vetëm që ne kemi vendin me taksa më të ulëta në të gjithë rajonin, se nuk po diskutojmë Europën, por do të vazhdojmë të jemi vendi i vetëm, rast unikal dhe këtë e kemi bërë me vetëdije të plotë e me një qëllim strategjik, për të ndihmuar ekonominë familjare, vendi ku nuk ka taksë për biznesin e vogël dhe ku biznesi i vogël nuk paguan tatim-fitim. E ka zero.
Dhe kështu do të vazhojmë ta mbajmë siç jemi zotuar, deri në fund të këtij mandati, në vitin 2029. Kjo do të thotë që biznesi i vogël do të vazhdojë të paguajë vetëm kontributet shëndetësore dhe shoqërore për të punësuar sepse ato nuk janë taksa, ato janë e drejta e gjithsecilit për të pasur pensionet.
Shefi i qeverisë shpjegoi si do të funksionojë Paqja Fiskale mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore.
Paqja Fiskale është një marrëveshje me sipërmarrjen, që sipërmarrja të bjerë dakord me administratën tatimore për të paguar një shumë të dakordësuar tatimi, për të rënë dakord për shifrën e rritjes së parashikuar të të ardhurave të kompanisë.
Kjo do të bëjë që kompanitë të paguajnë e të mos kenë kontrolle dhe të mos kenë probleme me burokracinë e nga ana tjetër, që të ardhurat në Buxhetin e Shtetit të planifikohen e të realizohen pa shpenzuar energji që pastaj shkojnë në dëm të kompanive për kontrolle dhe inspektime. Që të rishikojnë bilancet e tyre e të korrigjojnë bilancet e viteve të mëparshme. Për çdo bilanc të korrigjuar me rritje, tatimi që ata do të paguajnë është 5%.