Rihanna ka ndezur sërish spekulime për një martesë të mundshme me partnerin e saj prej pesë vitesh, ASAP Rocky. Këngëtarja dhe sipërmarrësja 37-vjeçare është shfaqur së fundmi në një set të ri fotografik për linjën e saj të të brendshmeve, “Savage x Fenty”, me një temë të frymëzuar nga dasmat.
Në fotografitë e postuara në Instagram, Rihanna shfaqet me të brendshme rozë, një vello delikate dhe një unazë të ndritshme në gishtin e fejesës – një detaj që ka nxitur thashetheme të shumta për një martesë të afërt.
Seti fotografik promovon koleksionin e ri të markës, “At First Sight”, dhe përfshin detaje si një tortë dasme, duke shtuar dyshimet për një hap të rëndësishëm në jetën personale të këngëtares.
Çifti ka dy fëmijë së bashku – djemtë RZA dhe Riot – dhe janë shfaqur shpesh në publik si një familje e lumtur. Pak kohë më parë, ASAP Rocky u shpall i pafajshëm për një çështje ligjore, ndërsa Rihanna u pa duke shpërthyer në lot gëzimi në sallën e gjyqit.
Rocky ka shprehur hapur dashurinë e tij për këngëtaren, ndërsa pritet që çifti të shfaqet së bashku në Met Gala këtë maj, ku reperi do të jetë një nga bashkë-drejtuesit e eventit me temën “Superfine: Tailoring Black Style”.