Tom Felton do të rimarrë rolin e tij si antagonisti Draco Malfoy në shfaqjen e “Harry Potter” në Broadway. Kjo është hera e parë që një yll i filmave të sagës më të famshme në botë i bashkohet një produksioni jashtë sheshxhirimit, “Harry Potter and The Curseed Child”. Shfaqja është një epilog i historisë së magjistarit të famshëm pas përfundimit të serisë së librave. Ajo u vendos në vitin 2016 në Londër dhe pas dy vitesh, u zhvendos në New York.
“Është surreale të rikthehesh në këpucët e tij dhe flokët e tij ikonikë biondë platin dhe jam i entuziazmuar që ta shoh këtë histori dhe ta ndaj me komunitetin më të mrekullueshëm të admiruesve në botë”-u shpreh Felton. Prej 11 nëntorit, Felton do të jetë për 19 javë në Lyric Theatre në Neë York. Subjekti i shfaqjes ndodh 19 vite pas përfundimit të historisë së Harry, Ron dhe Hermione, si edhe Draco të cilët dërgojnë fëmijët e tyre në Hogwarts.
“Të qenët pjesë e filmave të ‘Harry Potter’ ka qenë një nga privilegjet më të mëdha të jetës sime”-u shpreh Felton në një deklaratë. “T’i bashkohem këtij produksioni është një moment domethënës sepse kur të nis me performancat e ‘Cursed Child’ këtë vjeshtë, do të jem në të njëjtën moshë që ka Draco.” Në një video në rrjetet sociale, ai nxiti kureshtjen e fansave pasi u shfaq i veshur me mantelin e zi, flokët biondë platin dhe duke marrë shkopin magjik para se të pyeste: “Ke frikë, Potter?”-një frazë nga momentet më ikonike të filmit. “Draco është rikthyer”-shkruhet në përshkrimin e videos.
Prodhimi i serialit ‘Harry Potter’ të HBO do të fillojë në Warner Bros Studios në Leavesden, në veriperëndim të Londrës, në verën e vitit 2025. Seriali i ‘Harry Potter’ do të ketë një kast krejtësisht të ri, por do të mbetet autentik me librat origjinalë, duke i afruar aventurat magjike me një audiencë të re. Leavesden ndodhet në Watford, në veri të Londrës, dhe filmi hit ‘Barbie’ 2023 është xhiruar në studiot atje. Warner Bros është kompania e prodhimit që qëndron pas filmave origjinalë, me protagonistë Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint.