Njëzet vjet pasi filmi origjinal pushtoi publikun në mbarë botën, “The Devil Wears Prada 2” po rikthehet në kinema me pritshmëri gjigante dhe projeksione marramendëse për fitimet.
Kur u lançua në vitin 2006, filmi i parë u konsiderua si një komedi elegante në botën e modës, por me kalimin e viteve u kthye në një klasik të dashur nga publiku. Tani, rikthimi i Miranda Priestly dhe ekipit të saj pritet të dominojë arkat e biletave.
Sipas parashikimeve, vazhdimi i shumëpritur synon një hapje prej 75 deri në 80 milionë dollarë vetëm në Amerikën e Veriut, ndërsa disa analiza optimiste flasin për shifra që mund të arrijnë deri në 100 milionë dollarë në fundjavën e parë.
Edhe tregu ndërkombëtar pritet të japë rezultate të forta, me rreth 100 milionë dollarë të tjera, duke e çuar totalin global të debutimit në 175 deri në 190 milionë dollarë.
Disney dhe 20th Century Studios kanë investuar fuqishëm në projekt, me një buxhet rreth 100 milionë dollarë, shumë më i lartë se filmi i parë që kushtoi rreth 40 milionë.
Në kast rikthehen emrat ikonë si Meryl Streep, Anne Hathaway, Emily Blunt dhe Stanley Tucci, ndërsa në regji është sërish David Frankel.
Filmi ndjek historinë e Andy Sachs, e cila rikthehet në revistën Runway, këtë herë si redaktore, përballë figurës legjendare dhe të frikshme të Miranda Priestly.
Me nostalgjinë e filmit të parë, kastin origjinal dhe interesin e madh të fansave, “The Devil Wears Prada 2” pritet të jetë një nga hitet më të mëdha të vitit në kinema.