Film & Tv

Rikthehet seriali ikonik “Winx Club”? Shumë shpejt në Netflix?

Pas më shumë se 20 vitesh nga debutimi, seria ikonike vizatimore “Winx Club” rikthehet në ekran me një format të ri dhe aventura të freskëta. Netflix ka konfirmuar se seriali i ri, i titulluar “The Magic Is Back”, do të nisë premierën më 2 tetor, duke zgjuar nostalgji tek fansat e dikurshëm dhe duke tërhequr brezin e ri.

Për ata që janë rritur me historitë e Bloom, Stella, Flora dhe shoqeve të tyre në Shkollën e Zanave Alfea, ky rikthim është një ftesë për t’u zhytur sërish në botën magjike të zanave dhe betejave epike mes së mirës dhe së keqes.

Seriali i ri do të realizohet në format CGI, duke i dhënë një pamje moderne personazheve, por pa humbur frymën e origjinalit të vitit 2004, i cili vazhdoi deri më 2019.

Ky projekt vjen pas dështimit të versionit live-action (Fate: The Winx Saga), i cili u anulua pas vetëm dy sezoneve. Këtë herë, Netflix premton t’i qëndrojë më besnik ADN-së së “Winx Club”, duke theksuar miqësinë, guximin dhe fuqinë e brendshme.

Një tjetër surprizë është edhe kënga e re e interpretuar nga Virginia Bocelli, vajza e tenorit të famshëm Andrea Bocelli, e cila do të shoqërojë premierën.

Edhe pse seria e kaluar u shoqërua me polemika rreth përfaqësimit të personazheve, “The Magic Is Back” synon të rikthejë shkëlqimin që e bëri “Winx Club” një fenomen global.