Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin D.H për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78 dhe 25 të Kodit Penal.
Hetimet e rastit iu transferuan Shqipërisë për veprime të mëtejshme e më 10 korrik 2024 u arrestua i dyshuari D.H., për të cilin sot njoftohet se u dërgua për proces në Gjykatën e Tiranës, me akuzën e “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Në përfundim të hetimit mbi procedimin penal nr. 4139 të datës 30.06.2023, rezultoi se në bashkëpunim me shtetasin B.B., D.H. ka shkaktuar vrasjen e shtetasit A.V. në krahinën e Larisës në Greqi, më 17 maj të 2010-ës.
Hetimet nisën në vitin 2017, pas kallëzimit të bërë nga xhaxhai i viktimës, i cili denoncoi se nipi u gjet i rrahur për vdekje brenda makinës së tij. Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasi D.H. kishte njohje me viktimën dhe natën e krimit kanë qenë në të njëjtin bar që administrohej nga viktima duke konsumuar alkool.
Prokuroria provoi se ata janë larguar në të njëjtën kohë dhe nga tabulatet telefonike rezultoi se autori ka komunikuar me bashkëpunëtorin tjetër shtetasin B.B. Të dy këta shtetas kanë ushtruar dhunë fizike duke e goditur në këmbë, duar e pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e dhunës, ndërroi jetë. Pas këtyre akteve, ata e kanë futur viktimën në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur nga vendi i ngjarjes.
Natën e ngjarjes, viktima ka pasur tre çeqe me vlerë 150 mijë euro me vete. Ai humbi jetën si pasojë e goditjeve të rënda të kokës. Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, rezultoi e provuar se shtetasi D.H. në bashkëpunim me shtetasin B.B. kanë kryer veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në dëm të viktimës A.V.