Banorët e Luzit në Fushë-Krujë përsëri në protestë, kërkojnë rindërtim të rrugës që kalon përmes fshatit dhe lidh zonën me autostradën e pjesën tjetër të vendit.
Segmenti është pjesë e Unazës së Madhe të qytetit dhe prej vitesh struktura ka degraduar, pasi aty kalojnë mjetet e tonazheve të rënda të fabrikave të çimentove, guroreve e jo vetëm. Sot, lëvizja u devijua përmes Fushë-Krujës duke rënduar trafikun në qytet.
Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, nëse nuk marrin reagim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH). Ata ankohen për dëmtimin e automjeteve të tyre, si dhe për rrezikun që hasin çdo ditë nxënësit e një shkolle në zonë.
Kemi dalë për rrugën. Është copë copë. Taksat për makinat i paguajmë e në rrugë nuk futemi dot.
Vetëm për turistët që vijnë në Krujë, të ishte rregulluar 50 herë kjo rrugë. Asnjë turist nuk shkon tani në Krujë. Vijnë njerëz nga Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe habiten me këtë rrugë.
Është 1.5 km e gjatë. Këtu kalon 70-80% e gjithë materialeve të ndërtimit që ndërtohet në Shqipëri. Kjo ka një rrezik të madh për banorët sepse këtu kalojnë shumë kamionë. Rreziku kryesor është për fëmijët e shkollës që është këtu ngjitur. Ne protestojmë që shteti të vendosë dorë në këtë rrugë, para se të bëhet katastrofa. Ka pasur edhe aksidente.
Si qytetar i thjeshtë, iu bashkuar edhe ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja. Banorët do t’i drejtohen ARRSH-së me një letër kërkesë për informacion mbi fondin e miratuar ose jo për rikonstruksionin e rrugës.