Paga e Blake Lively për rolin e saj kryesor në filmin “It Ends With Us” është bërë publike përmes dokumenteve gjyqësore, në mes të një beteje të ashpër ligjore me regjisorin dhe bashkëprotagonistin Justin Baldoni.
Sipas “Daily Mail”, aktorja 37-vjeçare ka përfituar 1.75 milionë dollarë (rreth 1.65 milionë euro) për vetëm gjashtë javë xhirime, që përkthehet në një pagë ditore prej afro 58 mijë dollarësh (54,500 euro) për interpretimin e saj si Lily Bloom.
Përveç kësaj pagese bazë, Lively ka përfituar edhe bonuse shtesë të lidhura me suksesin komercial të filmit.
“It Ends With Us” ka rezultuar një hit financiar global, duke arkëtuar mbi 305 milionë euro në mbarë botën, pavarësisht një buxheti relativisht të ulët prej vetëm 21 milionë eurosh.
Filmi, i cili trajton tema të ndjeshme si dhuna në marrëdhënie, mori vlerësime të përziera nga kritikët, por u shndërrua në një nga projektet më fitimprurëse të vitit.
Megjithatë, suksesi i filmit është errësuar nga konflikti ligjor mes Lively dhe Baldoni. Të dy janë përfshirë në një sërë padish për shpifje dhe ngacmim seksual, ndërsa në dokumente përmenden edhe akuza për “sjellje të paqëndrueshme” dhe “zhvatje”.
Gjykata ka rrëzuar disa nga paditë, por përfaqësuesit ligjorë të palëve vijojnë të bëjnë deklarata publike dhe të mbrojnë pozicionet e tyre. Çështja mbetet ende në shqyrtim gjyqësor.
Pavarësisht polemikave, “It Ends With Us” ka konsoliduar pozitën e Lively si një nga aktoret më të paguara dhe më të kërkuara të momentit në Hollywood.