Lifestyle

Sa shpesh duhet t’i prisni flokët sipas gjatësisë dhe tipit të tyre?

Prerja e flokëve nuk është vetëm çështje estetike, por edhe një hap thelbësor për shëndetin e tyre. Megjithatë, sipas ekspertëve të kujdesit për flokët, frekuenca e prerjes duhet të përshtatet me gjatësinë, tipin dhe gjendjen e flokëve.

Flokët e shkurtër kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme, ndaj rekomandohet t’i prisni çdo 3 deri në 7 javë, për të ruajtur formën dhe freskinë e prerjes.

Nëse dëshironi t’i mbani në një gjatësi të caktuar, periudha mund të shtyhet deri në 4-5 javë.

Ndërkohë, për flokët e gjatë, ekspertët sugjerojnë një prerje çdo 2 deri në 3 muaj. Kjo ndihmon në largimin e majave të dëmtuara dhe parandalon këputjen.

Flokët e gjatë janë më të ndjeshëm ndaj dëmtimeve, sidomos në fund, ndaj prerjet e rregullta janë thelbësore për t’i mbajtur të shëndetshëm dhe me shkëlqim.

Flokët kaçurrela kanë nevojë për më pak ndërhyrje – zakonisht çdo 10 deri në 12 javë – për shkak se forma e tyre e valëzuar fsheh më mirë ndryshimet në gjatësi.

Ndërsa flokët me onde kërkojnë prerje më të shpeshta për të ruajtur formën dhe për të eliminuar majat e djegura.

Për ata me flokë të dëmtuar, rekomandohet një prerje çdo 6 deri në 8 javë, për të larguar pjesët e dëmtuara dhe për të nxitur rritjen e shëndetshme të flokëve të rinj.

Në fund, specialistët theksojnë se kujdesi duhet të jetë i personalizuar – çdo flok ka nevojat e veta.

Prandaj, më e rëndësishmja është të dëgjoni trupin (dhe flokët) tuaj për të ditur kur është koha e duhur për një prerje të re.