Disa ministra nga vendet e Europës Lindore, të cilat ndihen më të kërcënuara nga ekspansionizmi rus, kanë filluar të reagojnë pas samitit të Alaskës, duke mos shprehur shumë entuziasëm për rezultatet e tij. Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, tha se mbështet përpjekjet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, por ka dyshime rreth interesave të Presidentit rus, Vladimir Putin, për të arritur vërtet një marrëveshje. Lipavsky tha:
Nëse Putin do të ishte serioz në lidhje me negociatat për paqe, ai nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën gjithë ditën sot.
Nga ana tjetër, Ministrja lituaneze e mbrojtjes, Dovile Sakaliene, shkroi në X se Putini po “manipulon më tej viktimat dhe po bën kërcënime delikate” ndaj Bashkimit Evropian dhe Ukrainës, duke i nxitur ata të mos “sabotojnë” progresin e supozuar në samitin e Anchorage. Daniel Fried, bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut, njëherësh arkitekt i sanksioneve amerikane kundër Rusisë, pasi Moska mori nën kontroll Krimenë më 2014, tha pas konferencës në Alaskë se SHBA-ja “duket se nuk ia dorëzoi Ukrainën” Putinit. “Asnjë marrëveshje për Ukrainën.
Putini e teproi me retorikën e ricikluar për shtensionimin e situatës. Fatmirësisht, Trump nuk duket se ia dorëzoi Ukrainën. Por, përparimi që përmendi Trump nuk është i përcaktuar dhe mund të mos ekzistojë fare. Këto përshtypje të para do të ndryshojnë me daljen e më shumë informacioneve”, shkroi ai në X. Për ish-kryetarin e Konferencës së Mynihut për Sigurinë, Ëolfgang Ischinger, samiti i Alaskës ishte një fitore e qartë për Putinin.. “Alaska: Putini mori tapetin e kuq me Trumpin, Trumpi asgjë,” shkroi Ischinger në platformën X.
Sikurse kishim frikë: pa armëpushim, pa paqe. Pa përparim të vërtetë, shumë qartë 1:0 për Putin-in, jo sanksione të reja.
Për ukrainasit: asgjë. Për Evropën: thellësisht zhgënjyese,” shkroi Ischinger, ish ambassador i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara nga viti 2001 deri në vitin 2006. Në takimin, që u mbajt në bazën ushtarake Elmendorf mes dy udhëheqësve, morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff. Po ashtu, Putin ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, dhe këshilltari për çështje të jashtme, Yuri Ushakov.