Sara Gjordeni ka folur për herë të parë pas lindjes së vajzës së saj dhe pas një periudhe të gjatë larg ekranit.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ajo rrëfeu se shkëputja u shkaktua nga periudha post-partum, të cilën e përjetoi me luhatje të humorit dhe gjendje emocionale jo të qëndrueshme.
Për shumë gjëra, duke nisur nga shëndeti shpirtëror, ardhja në jetë e një fëmije të ngarkon edhe rutinën. Mu desh një shkëputje dhe besoj që më ka bërë shumë mirë. Njoha disa nga simptomat e post-partum, që i ndjeva 8 muaj pas lindjes dhe nuk e dija çfarë ishin. Kisha lëkundje emocionale dhe isha e mërzitur. U konsultova me mjeken dhe më tha të marr kohë për veten. Kam pasur mërzi që nuk e dija nga vinte, më bezdisnin më shumë gjëra seç duhej. Shenja e parë ishte që nuk duroja dot shumë zhurma. Partneri im ka luajtur një rol shumë të madh dhe më ka mbështetur
-tregoi Sara.
Ajo shtoi se mbështetja e partnerit dhe përvoja e të qenit prind e kanë ndihmuar të shohë situatën në një mënyrë pozitive dhe transformuese.
Nea ka ndihmuar shumë. Është klishe të flasësh për fëmijën, por vetëm ideja që ke një palë sy që të shohin të mbush me shpresë dhe të bëjnë shembull, të jep goxha forcë. Artistët janë shumë të ndjeshëm dhe e përjetojnë shumë intensivisht. Ka pasur momente të vështira, por i ka menaxhuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Jam shumë krenare
Ky rrëfim i saj është një dëshmi e hapur dhe e sinqertë për sfidat emocionale të periudhës pas lindjes dhe rëndësinë e mbështetjes së partnerit në këtë proces.