Gjykata e Posaçme sot pritet të shpallë vendimin, nëse dosja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj do të kalojë ose jo për gjykim. Në seancën paraprake të 2 shkurtit, gjyqtarja Etleva Deda mbylli shqyrtimin gjyqësor të dosjes dhe vendosi datën 9 shkurt për shpalljen e vendimit në orën 12:00.
Seanca e kaluar paraprake u zhvillua mes debateve, pasi kryebashkiaku Veliaj dhe avokatja e tij kryesisht, Valentina Teodoresku kërkuan shtyrje pasi argumentojnë se ende nuk janë njohur me të gjithë dosjen hetimore. Megjithatë, gjyqtarja Deda e rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut, i cili kërkoi përjashtimin e saj, me argumentin se po i mohon të drejtën për mbrojtje efektive dhe më pas u largua nga seanca.
Deda vijoi seancën duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes. Ndërkohë, të premten u rrëzua kërkesa e Veliajt për përjashtimin e gjyqtares dhe do të jetë kjo e fundit që sot pritet të shpallë vendimin për kalimin ose jo për gjykim të dosjes Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg prej 10 shkurtit 2025. Për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri, pjesë e dosjes së njohur si “Veliaj”.
SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi e përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare e organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.
Gjithashtu, Xoxa akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie e fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.