Nuk është për shkak se duan të jenë ndryshe apo sepse dasma është anuluar – thjesht, Selena Gomez ka vendosur të mos ketë një vallëzim të parë me të fejuarin e saj, Benny Blanco. Këtë detaj e zbuloi vetë këngëtarja gjatë një interviste në podcastin “Table Manners” me Jessie dhe Lennie Ware.
Selena pranoi se ndjehet në siklet kur të gjithë sytë janë mbi të dhe se një moment i tillë do ta bënte të ndihej e turpëruar – ndaj, ka vendosur ta shmangë vallëzimin tradicional të çiftit.
Nga ana tjetër, Benny e konfirmoi me një koment të shkurtër, duke thënë se arsyeja është e thjeshtë:
Selena është pak e ndrojtur
Megjithatë, ajo do të bëjë një përjashtim të veçantë. Selena po planifikon një vallëzim me gjyshin e saj nga nëna, si një gjest për të kompensuar faktin që ai nuk pati mundësi ta shoqëronte nënën e saj në altar gjatë një martese të shpejtë në Las Vegas.
Në mesin e përgatitjeve për dasmën, çifti ka vendosur të ruajë edhe elemente tradicionale. Selena zbuloi se do të përfshijnë një kërcim klasik nga kultura hebraike e Benny-t – Horën, i njohur ndryshe edhe si “vallëzimi në karrige”.
Kujtojmë se Selena dhe Benny nisën lidhjen e tyre në korrik të vitit 2023 dhe që nga ajo kohë janë të pandashëm. Ata njoftuan fejesën në dhjetor të vitit 2024 dhe tani janë në kulmin e përgatitjeve për ditën e madhe.