Film & Tv

Seriali “Adolescence” kalon në vend të dytë, cili është seriali i ri më i shikuar në Netflix?

Platforma gjigante Netflix ka lançuar një tjetër hit televiziv – serialin spanjoll “El Jardinero” (“Kopshtari”), i cili që nga premiera më 11 prill 2025, është pozicionuar në vendin e parë të më të shikuarve në mbarë botën, sipas të dhënave të FlixPatrol.

Ky thriller dramatik me elementë romantikë përbëhet nga gjashtë episode dhe është krijuar nga Miguel Sáez Carral. Seriali ka marrë vëmendje për atmosferën e tij të errët dhe subjektin emocional, duke u bërë shpejt një ndër më të komentuarit në rrjet.

Në qendër të ngjarjes është Elmeri, një djalë i ri që, pas një aksidenti tragjik në fëmijëri, ka humbur aftësinë për të përjetuar ndjenja. Ai punon në një qendër kopshti të drejtuar nga nëna e tij, La China Jurado – një grua e ftohtë dhe manipulatore, e cila përdor biznesin si mbulesë për një rrjet të fshehtë vrasjesh me pagesë. Elmeri, për shkak të mungesës së ndjeshmërisë, është njeriu ideal për të kryer këto vepra.

Situata komplikon kur Elmeri merr urdhër të eliminojë Violetën, një mësuese çerdheje që risjell ndjenjat në jetën e tij. Dilema midis misionit dhe ndjenjave e vë atë përballë vendimeve të vështira.

Në serial interpretojnë aktorët Álvaro Rico, Cecilia Suárez dhe Catalina Sopelana, ndërsa regjia mban firmën e Mikel Rueda dhe Rafa Montesinos. Seriali është xhiruar në disa qytete spanjolle si Pontevedra, Toledo dhe Madrid dhe prodhuar nga DLO Producciones.

“El Jardinero” është përshkruar si një përzierje mes krimit dhe dramës psikologjike, dhe po shihet si një tjetër sukses i televizionit spanjoll në skenën ndërkombëtare të streaming.