Bota

SHBA përgatitet për sulm? Aeroplanmbajtësja e tretë amerikane niset drejt Iranit!

Grupi i Sulmit i Anijes Aeroplanmbajtëse USS Ford pritet të vendoset në Evropë javën e ardhshme, pranë Lindjes së Mesme, duke u bërë aeroplanmbajtësja e tretë prezente, në afërsi të konfliktit midis Izraelit dhe Iranit.

Lajmin e konfirmoi  një zyrtar amerikan dhe dy persona të tjerë të njohur me çështjen.

Mjeti lundrues luftarak ka të ngjarë që të zhvendoset në Detin Mesdhe lindor, pranë Izraelit, duke pasur parasysh konfliktin e vazhdueshëm me Iranin. Në të njëjtën kohë, një tjetër aeroplanmbajtëse është në rrugë drejt Lindjes së Mesme, ku ose do t’i bashkohet ose do ta zëvendësojë USS Carl Vinson, raportoi CNN.

Ushtria amerikane përdor transportues aeroplanësh për të projektuar fuqi kudo në botë dhe ato janë ndër të parat që vendosen në kohë krizash.

Ato mund të mbajnë dhjetëra avionë luftarakë të aftë për të kryer sulme dhe mund të kapin raketa dhe dronë, dhe shoqërohen nga anije luftarake që mund të mbrohen kundër kërcënimeve ajrore, sipërfaqësore dhe nëndetëse.

Presidenti Donald Trump i ka dhënë një përgjigje të shkurtër dhe të ashpër liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, pasi ky i fundit deklaroi se Irani “nuk do të dorëzohet kurrë” në përballjen me Izraelin.

 “Unë i them paç fat,” u shpreh Trump për CNN nga Shtëpia e Bardhë. I pyetur se kur ‘do i soset durimi’ me Iranin, Trump u përgjigj prerë: “Durimi ka mbaruar, prandaj po bëjmë atë që po bëjmë.”

Trump duket se po tregohet gjithnjë e më i hapur për të përdorur forcën ushtarake amerikane për të goditur objektivat bërthamore iraniane, ndërsa po humbet besimin te zgjidhja diplomatike për përshkallëzimin e konfliktit me Izraelin.