Bota

SHBA, Senati drejt miratimit të ligjit për arrestimin e emigrantëve!

Senati Amerikan po shkon drejt një raundi të fundit të votimit të një ligji, që autoritetet federale të arrestojnë emigrantët e akuzuar për vjedhje e krime të dhunshme dhe që shteteve iu jep fuqinë për të sfiduar politikat federale të emigracionit, duke i hapur rrugë një tjetër qëndrimi ndaj emigracionit. Kjo teksa Donald Trump përgatitet të marrë mandatin në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar.

Të ashtuquajturin ligji “Laken Riley”, që mban emrin e studentes së vrarë në shtetin e Xhorxhias nga një emigrant nga Venezuela, senatorët republikanë që përbëjnë shumicën në Senat, e kanë shndërruar në përparësinë kryesore, ndoshta duke e bërë ligjin e parë që Trump do ta nënshkruajë si president.

Një pengesë e rëndësishme procedurale u tejkalua dje, kur disa ligjvënës demokratë votuan bashkë me të gjithë ata republikanë, për ta çuar drejt një votimi përfundimtar.

Fillimisht, demokratët e përkrahën diskutimin e hapur mbi projekt-ligjin, duke sinjalizuar se ishin gati të merrnin në konsideratë masa goditëse ndaj emigracionit të paligjshëm pas humbjeve në zgjedhje. Por, shumica e tyre votoi kundër dërgimit të draftit drejt një votimi përfundimtar meqë nuk u arrit të realizoheshin disa ndryshime të rëndësishme për ta.

Natyrisht, çështja e sigurisë së kufirit ishte shumë e madhe në zgjedhjet e nëntorit, deklaroi drejtuesi i shumicës republikane në Senat, John Thune, nga Dakota e Jugut. Qartazi, amerikanët duan ndryshim të politikave kur bëhet fjalë për sigurimin e kufirit dhe emigracionin.

Në ditët e para të mandatit të Kongresit të ri, ligjvënësit republikanë sfiduan demokratët, duke iu kërkuar të bashkohen në përpjekjet për të kufizuar emigracionin e jashtëligjshëm e për të dëbuar emigrantët që kanë kryer krime. Në disa raste, ata janë bashkuar. Javën e kaluar, shumica e senatorëve demokratë votuan për të ndërmarrë hapa drejt miratimit të projekt-ligjit “Laken Railey” ndërsa vazhduan të bëjnë thirrje për ndryshimin e tij.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, të gjithë ligjvënësit republikanë, si dhe 48 demokratë, votuan për të miratuar një version të ngjashëm të këtij projekt-ligji. Në javën që po lëmë pas, 61 demokratë votuan edhe një projekt-ligj që parashikon dëbimin dhe bllokimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të shtetasve të huaj, të dënuar për abuzim fizik e seksual.