Aktualitet

Shirat, bllokohen disa rrugë në Gjirokastër/Lezhë, pezullohet lundrimi!

Si pasojë e reshjeve të shiut me intensitet deri në mesatar, disa segmente rrugore në qarkun Gjirokastër kanë mbetur të bllokuara, ndërsa strukturat vendore vijojnë punën për normalizimin e situatës.

Problematikat kryesore janë evidentuar në bashkitë Libohovë dhe Gjirokastër, ku po vazhdojnë punimet për hapjen e rrugëve të dëmtuara nga reshjet.

Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha rrugët kombëtare janë të qarkullueshme dhe nuk paraqesin rrezik për lëvizjen e mjeteve.

Ndërkohë, raportohet mungesë e energjisë elektrike në njësinë administrative Kurvelesh, bashkia Tepelenë, si dhe në një pjesë të fshatit Lazarat, njësia administrative Lazarat, bashkia Gjirokastër. Ekipet përkatëse janë në terren për rikthimin e furnizimit.

Furnizimi me ujë të pijshëm vijon të jetë i pandërprerë në të gjithë qarkun. Prefektura bën me dije se mbetet në kontakt të vazhdueshëm me strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për të monitoruar situatën.

Moti i keq që ka përfshirë rajonin e Lezhës që prej pasdites së djeshme ka shkaktuar probleme në lundrimin detar. Si pasojë e detit të trazuar, është ndaluar lundrimi i mjeteve të peshkimit, pasi përbën rrezik për lëvizjen dhe sigurinë e tyre.

Autoritetet bëjnë me dije se pezullimi i lundrimit do të vijojë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Ndërkohë, nga moti i keq nuk raportohen problematika të tjera në territorin e qarkut Lezhë.