Bota

Shkatërrohet rrjeti bjellorus i spiunazhit në Europë!

Një rrjet i spiunazhit që po ndërtohej në Europë nga Bjellorusia është shkatërruar nga shërbimet e inteligjencës së Republikës së Çekisë, Hungarisë dhe Rumanisë, njoftoi agjencia çeke e kundërzbulimit. BIS bëri të ditur se një ekip agjentësh europianë zbuloi spiunë të agjencisë bjelloruse të sigurisë, KGB, në disa vende të Europës.

BIS-i raportoi se mes tyre ishte edhe një ish-zëvendëskryetar i shërbimit moldav të inteligjencës SIS, i cili kishte dorëzuar informacione të klasifikuara te KGB-ja bjelloruse. Po ashtu, çekët dëbuan një agjent bjellorus që vepronte nën petkun e një diplomati. Ministria e Jashtme e Çekisë tha se atij iu dhanë 72 orë kohë për t’u larguar nga Republika Çeke.

Agjencia çeke theksoi se Bjellorusia arriti ta krijojë këtë rrjet për shkak se diplomatët e saj mund të udhëtojnë lirshëm nëpër vendet europiane.

Për t’i luftuar me sukses këto aktivitete armiqësore në Europë, duhet ta kufizojmë lëvizjen e diplomatëve të akredituar nga Rusia dhe Bjellorusia brenda zonës Schengen, tha në një deklaratë kreu i BIS-it, Michal Koudelka.

Agjencia nuk dha më shumë hollësi. Agjencia rumune kundër krimit të organizuar, DIICOT, deklaroi se ka ekzekutuar një fletarrest për një të dyshuar i moshës 47 vjeç, nën akuzat për tradhti. Më parë, i dyshuari kishte mbajtur poste drejtuese brenda SIS-it moldav. Sipas DIICOT-it, dyshohet se u kishte zbuluar sekrete shtetërore oficerëve të Inteligjencës bjelloruse, të cilat me gjasë “rrezikonin sigurinë kombëtare”.

Agjencia rumune shtoi se ndërmjet viteve 2024 e 2025, i dyshuari moldav, i paidentifikuar ishte takuar dy herë me spiunë bjellorusë në Budapest të Hungarisë dhe ka “dyshime të arsyeshme” se takimet kishin të bënin me “dhënien e udhëzimeve” dhe shkëmbimin e pagesave për shërbimet e ofruara.

Hetimi ndërkombëtar u mbikëqyr nga agjencia e Bashkimit Europian për bashkëpunim gjyqësor, Eurojust. Bjellorusia drejtohet nga presidenti autoritar Alexander Lukashenko, i cili është aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Lukashenko lejoi që Rusia ta përdorte tokën bjelloruse si bazë për fillimin e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe më vonë pranoi vendosjen e raketave bërthamore taktike ruse.