Lifestyle

Shkencëtarët zbulojnë momentet kyçe kur truri ndryshon përgjithmonë?

Truri i njeriut, një nga organet më komplekse dhe misterioze të trupit, vazhdon të befasojë shkencëtarët me mënyrën se si zhvillohet dhe ndryshon gjatë jetës.

Një studim i ri nga Departamenti i Shkencave Njohëse dhe të Trurit pranë MRC në Universitetin e Kembrixhit ka hedhur dritë mbi faza të panjohura më parë të transformimit të trurit, duke identifikuar moshat kyçe kur ndodhin ndryshime vendimtare.

Studiuesit analizuan rreth 4,000 skanime të trurit nga persona në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, që varionin nga të porsalindurit deri te individë 90-vjeçarë. Fokus i studimit ishte lënda e bardhë, rrjeti i fibrave nervore të mbuluara me mielinë, e cila luan një rol thelbësor në komunikimin mes rajoneve të trurit.

Përmes hartëzimit të këtyre “rrugëve” nervore dhe analizës së 12 karakteristikave kryesore, studiuesit përdorën algoritme të të mësuarit automatik për të identifikuar momentet kur struktura e trurit pëson ndryshime të mëdha.

Rezultatet treguan se jeta e trurit ndahet në pesë faza të dallueshme zhvillimi, me pika kthese në moshat 9, 32, 66 dhe 83 vjeç.

Zhvillimi i hershëm i trurit zgjat nga lindja deri në moshën 9 vjeç, periudhë gjatë së cilës lidhjet nervore formohen me shpejtësi, por ende pa efikasitet të plotë.

Nga mosha 9 deri në 32 vjeç, truri hyn në atë që studiuesit e konsiderojnë fazën e adoleshencës neurologjike, një periudhë ku lënda e bardhë vazhdon të rritet dhe komunikimi mes rajoneve bëhet më i organizuar dhe më efikas.

Mosha 32 vjeç rezulton të jetë një nga momentet më të rëndësishme të jetës së trurit.

Sipas studimit të botuar në Nature Communications, kjo është pika më e fortë e kthesës, ku truri hyn në një fazë stabiliteti që zgjat deri rreth moshës 66 vjeç.

Kjo periudhë përshkruhet si “epoka e artë” e funksioneve njohëse, inteligjencës dhe konsolidimit të personalitetit.

Pas moshës 66 vjeç, fillon faza e plakjes së hershme. Në këtë periudhë, disa zona të trurit krijojnë lidhje më të forta brenda vetes, por bëhen më pak të ndërlidhura me pjesët e tjera. Lënda e bardhë nis gradualisht të shpërbëhet, një proces i njohur si degjenerim i lidhur me moshën.

Studiuesit vërejnë se kjo moshë përkon edhe me ndryshime të rëndësishme shëndetësore, përfshirë rritjen e rrezikut për hipertension dhe rënie njohëse. Hipertensioni lidhet ngushtë me plakjen e përshpejtuar të trurit dhe konsiderohet një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e demencës.

Pas moshës 83 vjeç, truri hyn në fazën e plakjes së vonë. Lidhjet ndërmjet rajoneve dobësohen ndjeshëm dhe funksionimi mbështetet gjithnjë e më shumë në zona të izoluara, me pak rrugë komunikimi mes tyre.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto ndryshime nuk janë të njëjta për të gjithë dhe nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht rënie të menjëhershme të funksioneve mendore tek çdo person i moshuar.

Sipas autores kryesore të studimit, Aleha Musli, ky zbulim ndihmon në kuptimin më të mirë të mënyrës se si truri përshtatet, piqet dhe plaket, duke hapur rrugë për strategji të reja në ruajtjen e shëndetit mendor gjatë gjithë jetës.