Celebrities Lancio Music

Shkodra Elektronike rrëfen ekskluzivisht/ Nga Eurovisioni te albumi EP që po kalojnë çdo pritshmëri!

Grupi Shkodra Elektronike ishte i ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Micin dhe David Priftin në Top Albania Radio, në një lidhje telefonike ku ndanë me dëgjuesit momente kyçe nga rrugëtimi i tyre artistik. Duke nisur nga përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovision, ata folën për eksperiencën e veçantë në skenën ndërkombëtare dhe emocionet që kjo ngjarje solli për ta si artistë. Pjesëmarrja në këtë festival prestigjioz i dha grupit një vëmendje të gjerë, duke i hapur dyert për projekte të reja dhe bashkëpunime të rëndësishme.

Në bisedën me moderatorët, anëtarët e grupit treguan se pas Eurovision-it, puna nuk u ndal asnjë çast. Përkundrazi, ata u përkushtuan më shumë ndaj krijimtarisë muzikore, duke eksperimentuar me tingujt elektronikë dhe identitetin e tyre unik që ndërthur trashëgiminë muzikore shkodrane me rryma moderne. Ky përkushtim kulmoi me realizimin e albumit të ri EP, një projekt që pasqyron evolucionin artistik të grupit dhe risitë muzikore që ata synojnë të sjellin në treg.

Shkodra Elektronike theksoi se ky album nuk është thjesht një koleksion këngësh, por një rrëfim i sinqertë i emocioneve dhe përjetimeve të tyre si artistë që kërkojnë të ruajnë rrënjët, ndërsa ecin përpara në skenën bashkëkohore. Me një vizion të qartë artistik, ata u shprehën se janë të vendosur të sjellin gjithnjë e më shumë muzikë me identitet, që flet shqip por që rezonon në çdo skaj të botës. Si e kanë pritur ata këtë ndryshim të papritur që ndodhi në karrierën dhe jetën e tyre?

Bea: Jeta nuk ka ndryshuar shumë. Kemi mbetur njësoj. Vetëm se na ka dalë ndonjë punë më tepër. Puna ka ndryshuar.

Kola: Kemi punuar më shumë dhe kemi pasur mundësinë. Kjo është gjëja më e bukur që na ka ndodhur, që t’i dedikohemi vetëm grupit Shkodra Elektronike. Mos të kemi nevojë të merremi me projekte të tjera.

Ka pasur ndikim fama në jetën e tyre të përditshme?

Ne famën nuk e ndjejmë shumë. Kur vijmë këtu në Shqipëri e ndjejmë pak më shumë afërsinë e njerëzve. Domethënë kur kemi qenë ato 6 muaj ose në Itali, ose në Europë duke bërë ‘pre-party’, ose në Basel e kemi parë, por prapë nuk është e njëjta gjë. Kur je larg, nuk e ndjen shumë. Kur vijmë këtu është një rrokje e madhe prej njerëzve. Ne ecim në rrugë dhe njerëzit na afrohen.

Shumica e këngëve të tyre mbajnë një trishtim të thellë brenda tyre, ndërkohë që rryma që përdorin është elektronike. Si vjen ky gërshetim?

Nuk është strategji se ne strategji nuk dijmë të bëjmë njëherë. Trishtimi është se*si. Përveç “Zjerm” në pjesën kur këndon Kola e ka shkruar Lek Gjeloshi, një artist bashkëkohor shkodran, por unë i shkruaj tekstet. Unë merrem me fjalët që këndoj dhe me notat që këndoj në përgjithësi.

Me suksesin e “Zjerm” dhe me publikimin e albumit të ri EP, a do të eksplorojnë ata edhe tregun ndërkombëtar?

Ne edhe më parë kemi bërë koncerte pak a shumë në të gjithë Europën. Përveç Shqipërisë dhe Kosovës, kemi bërë koncerte në Hollandë, në Austri. Pavarësisht se të gjitha deri më tani i kemi pasur në gjuhën shqipe, ne e kemi parë edhe në Spotify se ku dëgjohen këngët dhe jemi të dëgjuar në vende të ndryshme. Një vend që na dëgjon më shumë, që ështëpak e çuditshme, është Polonia.